Lifestyle

Ilaçet natyrale për ta rimarrë veten pas një nate plot alkool

Hanover - dehje

Mëngjesi pas një nate plot alkool mund të jetë mjaft i rëndë dhe me kokëdhimbje. 
Ndëshkimi i pakëndshëm për konsumim të tepërt të alkoolit shkaktohet nga një sërë faktorësh, përfshirë dehidrimin, mungesën e gjumit, inflamacionin dhe acarimin e zorrëve. 

Dietologia Lucy Diamond ka thënë për “The Sun” se alkooli është diuretik që shteron lëndët ushqyese thelbësore dhe shkakton dehidrim duke çuar në simptoma të njohura si: kokëdhimbja, vjellja dhe lodhja. 

Mirëpo, nutricistët thonë se disa ushqime e suplemente mund të ndihmojnë në reduktimin e efekteve të alkoolit dhe që ta rimerrni veten shpejt. 

Lucy ka thënë se “çelësi i rimëkëmbjes është edhe ushqimi i lehtë”. 
E nutricistja Shona Wilkinson, që punon në “Dr Vegan”, ka treguar për “The Sun” çfarë të konsumoni pas një nate plot alkool. 

Gjembaçi i qumështit

Një nga shkaqet kryesore të “hangoverit” – efektet e një nate plot alkool -  është akumulimi i acetaldehidit. 

Nënprodukti toksik i shpërbërjes së alkoolit kontribuon në inflamacionin në mëlçi dhe organe të tjera, sipas Institutit Kombëtar për Alkoolizëm dhe Abuzim me Alkool. 

Megjithatë, hulumtimet tregojnë se disa kimikate natyrale mund të ndihmojnë në zvogëlimin e këtij inflamacioni, duke trajtuar të paktën një nga simptomat e “hangoverit”. 

Silymarina, e gjetur në bimën e gjembaçit të qumështit, ka efekte të forta antiinflamatore, që mund t’i minimizojnë efektet e toksinave. 

“Bima e gjembaçit përmban cinarinë dhe silymarinë që mbështesin mëlçinë në prodhimin biliar, që është thelbësor për ta ndihmuar trupin t’i transportojë toksinat nga mëlçia dhe për në zorrë për t’u eliminuar”, ka thënë Shona. “Gjembaçi i qumështit po ashtu ndihmon në reduktimin e simptomave të vjelljes dhe problemeve me stomak”. 

Shona thotë se mund të merret gjembaçi i qumështit në formë të çajit ndër të tjera, por edhe të shtohet në ushqim. 

Por thotë se asnjë kimikat nuk trajton plotësisht efektet e “hangoverit”. 

Lëngu i turshive

Fajtori kryesor për kokëdhimbjen që mund ta keni pasur një nate me alkool është dehidrimi. 
Pirja e alkoolit bën që trupi të nxjerrë ujë nga gjaku juaj përmes veshkave, duke rezultuar në dehidratim të shpejtë. 

Kjo është arsyeja pse ju duhet të shkoni shpesh në tualet pasi të pini alkool. 
Të nesërmen kjo mund të rezultojë në migrenë e dhimbje fyti, ndër të tjera. 
Por, disa kura natyrale mund ta përshpejtojnë procesin e rihidratimit për shkak të lëndëve ushqyese që përmbajnë, thotë nutricistja Shona. 

“Lëngu i turshive është i mbushur me elektrolite dhe minerale thelbësore si natrium, kalcium dhe kalium, të cilat ndihmojnë në proceset e rëndësishme të trupit. Në përgjithësi, elektrolitet nxisin hidratimin, duke e bërë kështu lëngun e turshive ilaç të përsosur nëse po kërkoni ta shuani atë etjen që vjen pas një nate plot alkool”, thotë Shona.

Vezë dhe bukë të thekur

Disa ushqime të njohura mund t’ju ndihmojnë ta përballoni më mirë një “hangover”. Ushqimet si vezët dhe buka e thekur janë mjaft të mira. 

“Vezët janë të pasura me cisteinë, e cila mund të ndihmojë në zbërthimin e acetaldehidit, përbërësi toksik përgjegjës për simptomat tuaja të këqija të ‘hangoverit’”, ka thënë dietologia Lucy. 

Sa i përket bukës së thekur, pos saj do të bënit mirë të shtonit edhe pak avokado. 

“Pak bukë e thekur integrale me avokado ofron karbohidrate komplekse dhe yndyra të shëndetshme për ta stabilizuar sheqerin në gjak dhe për të siguruar energji të qëndrueshme”, tha Lucy. 

Banane dhe arra

Pas një nate plot alkool, trupi juaj mund të ketë mungesë të mineraleve thelbësore. 
Dietologia Lucy thotë se mund t’i rimbushni “bateritë” nëpërmjet ushqimeve të caktuara. 

“Bananet janë të mbushura me kalium, të cilin alkooli e redukton në mënyrë dramatike. Ato janë të lehta për stomakun dhe ndihmojnë në rivendosjen e ekuilibrit të elektroliteve”, thotë ajo. 

Po ashtu ajo thotë se edhe një grusht me arra ndihmon.

“Arrat janë të pasura me magnez dhe ndihmojnë në rikuperimin e muskujve”, shpjegon ajo. 

Kosi 

Nëse jeni duke kërkuar diçka të lehtë për ta qetësuar stomakun, atëherë pse të mos pini kos? 
Por, përkujdesuni të mos jetë i ëmbëlsuar apo aromatizuar, thotë dietologia Lucy. 

“Kosi i thjeshtë ndihmon në rimbushjen e zorrëve me baktere të mira, të cilat goditen pas konsumimit të alkoolit”, tha ajo. 

Lëvozhga e limonit

Një ilaç tjetër i mundshëm për trajtimin e toksinave mund të gjendet te limonët. 

Lëvozhga e limonit është e lartë me antioksidantë, duke përfshirë D-limonene dhe vitaminë C.
Një studim i botuar në revistën “Asian Pacific Journal of Cancer Prevention” zbuloi se lëvozhga e limonit ka shumë më tepër antioksidantë se ajo e grejpfrutit apo mandarinës. 

D-limonene mund ta rrisë prodhimin e një enzime në trup që redukton efektet e stresit oksidativ. 

“Lëvorja e limonit përmban substancën e quajtur ‘D-limonene’, e cila ndihmon në detoksifikimin e trupit dhe shkatërrimin e toksinave të këqija. Provo të shtoni një limon të plotë në një gotë me ujë ose ta copëtoni duke ia shtuar ushqimit, për t’i dhënë trupit shtytje pas një nate plot alkool”, thotë nutricistja Shona. 

Çaj xhenxhefili apo mente

Të vjellat janë një efekt tjetër i keq i “hangoverit” dhe shkaktohen nga një sërë faktorësh. 
Megjithatë, një sërë çajesh bimore janë treguar se kanë efekt të dobishëm për ta luftuar nausean. Këtu përfshihen çajet e xhenxhefilit dhe mentës. 

Një studim, i botuar në revistën “American Journal of Physiology-Gastrointestinal and Liver Physiology”, ka treguar se një gram xhenxhefil mund ta zvogëlojë ndjenjën e nauseas. 

Po ashtu nutricistja Shona thotë se edhe çaji i mentës mund të përdoret për t’i lehtësuar problemet me tretje dhe fryrje të barkut pas një nate me plot alkool. 

Uji dhe uji i kokosit

Gjëja kryesore që duhet të bëni nëse jeni duke luftuar një “hangover” është të hidratoheni. 

“Ujë është i panegociueshëm”, thotë dietologia Lucy. 

Mos prisni deri në mëngjes për të pirë dy gota ujë. 

“Synoni të pini të paktën gjysmë litre ujë para gjumit dhe gjysmë litre tjetër pasi të zgjoheni”, thotë dietologia. “Uji i kokosit është një alternativë fantastike, i mbushur me elektrolite që ndihmojnë në rivendosjen e ekuilibrit të mineraleve në trupin tuaj”.