Lifestyle

Hulumtuesit gjejnë “përforcuesin” e antibiotikëve

Guacat australiane

Guacat australiane

Një proteinë antimikrobike e gjetur në gjakun e guacave australiane mund të ndihmojë në luftën kundër baktereve të qëndrueshme ndaj antibiotikëve, sugjeron një studim i ri, raporton “TheGuardian”.

Shkencëtarët australianë kanë zbuluar se një proteinë që gjendet në hemolimfën – e barabartë me gjakun – të guacës “Sydney rock” (Saccostrea glomerata), mund të vrasë vetë bakteret dhe ta rrisë efikasitetin e disa antibiotikëve të zakonshëm.

Rezistenca ndaj antibiotikëve është përshkruar si “krizë globale shëndetësore” që, pa veprime urgjente, mund të bëjë që ilaçet jetike të bëhen të pasuksesshme dhe të çojnë në ulje të jetëgjatësisë dhe cilësisë së jetës deri në vitin 2050.

Në testet laboratorike, proteina e hemolimfës ishte e efektshme në eliminimin e baktereve “Streptococcus pneumoniae” (pneumoni) dhe “Streptococcus pyogenes” (e cila ngurtëson muskujt e fytit dhe jep temperaturë). Por ajo ende nuk është testuar tek kafshët ose tek njerëzit.

Kur përdorej në kombinim me antibiotikë si ampicilina dhe gentamicina, proteina rriti efektivitetin dy deri në 32 herë kundër baktereve që shpesh prekin individë me imunitet të dobët.

Profesoresha Kirsten Benkendorff nga Southern Cross University, një nga autoret e studimit, ka thënë se për të ofruar një dozë aktive për një person të zakonshëm, nevojiten rreth dhjetëra guaca. Por ajo gjithashtu ka theksuar se duhen bërë më shumë hulumtime për të pastruar proteinën dhe për të kuptuar se si funksionon ajo.

“Ne gjetëm që ngrohja e proteinës zvogëlon aktivitetin antimikrobik, kështu që gatimi do ta zvogëlonte efektin e saj”, ka thënë Benkendorff.

Megjithatë, është e pasigurt nëse ngrënia e proteinës do të ishte e efektshme, pasi, ndryshe nga shumë antibiotikë të zakonshëm, proteinat antimikrobike mund të shkatërrohen nga sistemi tretës para se të arrijnë në vendin e duhur.

Ajo tutje ka thënë se guacat, si organizma që thithin gjithmonë baktere, janë potencial i mirë për studime të mëtejme për barna antimikrobike. Por gjithashtu nënkupton se në zona pranë pusetave të ujërave të ndotura, ato mund të grumbullojnë substanca që mund të jenë të dëmshme për njerëzit nëse konsumohen.

Benkendorff ka shtuar se proteina mund të ndihmojë në trajtimin e infeksioneve respiratore që janë rezistente ndaj antibiotikëve të zakonshëm.

Për të mbrojtur veten, bakteret infektuese shpesh grumbullohen në “biofilma” – grupe ngjitëse që ua mundësojnë të shmangin antibiotikët dhe sistemin imunitar të njeriut.

Proteina e hemolimfës së guacës u tregua efektive kundër “biofilmave” të Streptococcusit, zbuluan shkencëtarët. 

“Ne shpesh mendojmë për bakteret që notojnë nëpër gjak. Por në të vërtetë, shumë prej tyre ngjiten në sipërfaqe. Përparësia e diçkaje që ndërhyn në biofilm është ndalimi i të gjitha atyre baktereve të ngjiten në sipërfaqe. Ajo i liron ato përsëri në gjak, ku mund të sulmohen nga antibiotikët”, ka thënë Benkendorff.

Profesori Jonathan Iredell, mjek i sëmundjeve infektive dhe mikrobiolog klinik në Universitetin e Sidneyt, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, ka thënë se proteina e guacës i përket një klase përbërjesh të quajtura peptide antimikrobike. 

Profesoresha Branwen Morgan, e cila udhëheq misionin e “CSIRO” për minimizimin e rezistencës ndaj antimikrobikëve, e përshkroi si një “zbulim shumë interesant”. “Çdo trajtim i mundshëm që zvogëlon varësinë nga antibiotikët tradicionalë është i vlefshëm për t’u ndjekur”, ka thënë Morgan, e cila gjithashtu nuk ishte e përfshirë në studim.

Studimi u botua në revistën Plos One.