Shpërthimi i shpejtë i gripit të shpendëve ka ngritur shqetësime në industrinë e qumështit në Kaliforni, shtetin më të madh prodhues të qumështit në SHBA, pasi që me të janë infektuar shumica e tufave të lopëve dhe mijëra punëtorë e fermerë janë në rrezik të infektohen nga virusi.
New York Times ka shkruar se për vetëm katër muaj, lopët në 645 ferma të Kalifornisë kanë rezultuar pozitive për H5N1, ani se shumë fermerë kanë marrë masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e virusit. Gjatë një deklarate të dhënë ditë më parë, Guvernatori Gavin Newsom shpalli gjendje emergjente për shpërthimin e gripit të shpendëve në Kaliforni.
Virusi po përhapet me shpejtësi dhe fermerët po e quajnë “Covidi i lopëve”, ndërsa shkencëtarët po garojnë për të zbuluar se si ta ndalojnë përhapjen e tij.
“Po bëjmë gjithçka që mundemi dhe kjo ka qenë kriza më e keqe që kemi përjetuar ndonjëherë në industrinë e qumështit në Kaliforni”, ka thënë Anja Raudabaugh, drejtoresha ekzekutive e Western United Dairies, organizatë tregtare që përfaqëson shumicën e qumshtoreve në këtë shtet.
Gripi i shpendëve prek kryesisht shpendët, por mund të infektojë edhe shtazë të tjera e gjithashtu edhe njerëzit. Gjatë këtij viti janë raportuar 61 raste te njerëzit të gripit të shpendëve në SHBA, por shumica e individëve kanë pasur simptoma të lehta, si skuqje e syve, ethe dhe dhimbje muskujsh. Megjithatë, autoritetet kanë raportuar të mërkurën për rastin e parë të një infeksioni të rëndë te një individ në Luizianë, që u shtrua në spital për shkak të gripit të shpendëve.
Sipas ekspertëve, konsumimi i vezëve dhe qumështit të pasterizuar nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut. (Megjithatë, qumështi i papasterizuar nga lopët e infektuara është i pasigurt dhe Kalifornia ka tërhequr produktet e qumështit të papasterizuar pasi u zbulua virusi në mostrat e qumështit).
Virusi u identifikua fillimisht te lopët në fillim të këtij viti në Teksas, por që atëherë ka arritur edhe në 15 shtete të tjera, përfshirë Kaliforninë.
Ekspertët besojnë se mjetet, pajisjet dhe punëtorët e kontaminuar luajnë rol të rëndësishëm në përhapjen e tij nga ferma në fermë. “Ata që mjelin lopët janë në rrezik të lartë sepse virusi është shumë i përqendruar në qumësht", ka thënë Michael Payne, ekspert në mjekësinë veterinare në Universitetin e Kalifornisë.
Payne ka shtuar se fermerët morën masa mbrojtëse duke ndërprerë kontaktin me ferma të tjera, duke testuar rregullisht qumështin për virusin, duke dezinfektuar pajisjet dhe duke parandaluar vizitat e punëtorëve nga fermat e tjera.
Megjithatë, këto masa nuk kanë funksionuar gjithmonë.
“Një pjesë e fermerëve kanë bërë gjithçka si duhet dhe prapë se prapë janë infektuar. Ka frustrim të jashtëzakonshëm”, ka thënë Payne.
Shkencëtarët shtetërorë po punojnë për të identifikuar mënyra të tjera që mund të ndihmojnë përhapjen e virusit te lopët, siç mund të jetë transmetimi nga shpendët e egër, kafshët e egra ose shtazë të tjera si shushunjat.
Gjendja ka shkuar përtej luginës qendrore të Kalifornisë, rajon i njohur bujqësor, pasi gjatë kësaj jave, lopët në jug të Kalifornisë dolën pozitive në testin për gripin e shpendëve, qindra kilometra larg fermave në qendrën e luginës. Kjo ka bërë që të ndërpriten dërgesat e lopëve midis dy rajoneve për javë të tëra.
Në muajin tetor, një valë e nxehtësisë në qendrën e luginës ka shtuar edhe më shumë problemet.
“Lopët po binin dhe po ngordhnin. Kurrë nuk kam qenë kaq e traumatizuar”, ka thënë Raudabaugh.
Në Kaliforni, 34 punëtorë dolën pozitivë ne test për gripin e shpendëve dhe pothuajse të gjithë ata kishin pasur kontakt të drejtpërdrejtë me lopët e infektuara, sipas zyrtarëve shtetërorë.
Përfaqësuesit e sindikatës së punëtorëve kanë deklaruar se numri i vërtetë i punëtorëve të fermave të infektuar është ndoshta më i lartë, pasi shumë nga ata shmangin testimin për të mos humbur punën.
Fermerët e pulave gjithashtu kanë pësuar nga gripi i shpendëve, por ata janë më të mbrojtur, pasi gjithmonë mbajnë grupe të shpendëve të izoluar në ferma të mëdha dhe shpesh ata janë të mbyllur brenda.
Megjithatë, kur gripi i shpendëve arrin në një tufë pulash, ndikimet janë shumë më të rënda, pasi virusi është fatal për pulat dhe përhapet shumë më shpejt ndërmjet tyre sesa te lopët.
Departamenti e Bujqësisë së Kalifornisë ka deklaruar se deri në muajin nëntor, 6.5 milionë pula janë asgjësuar në të gjithë SHBA-në.
Kjo ka ndikuar në furnizimin me vezë në shtet dhe shumë dyqane kanë qenë pa to, sidomos para festave të Krishtlindjeve.