Lifestyle

Gati gjysma e rasteve me demencë mund të evitohen duke trajtuar 14 faktorë rreziku

Demenca

Ekspertët rekomanduan se njerëzit në mbarë botën duhet t’i kenë parasysh faktorët rrezikues (Foto-Ilustrim)

Më shumë se 55 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga demenca, numër ky që pritet të trefishohet deri në vitin 2050.

Por shkencëtarët sugjerojnë se duke trajtuar 14 faktorë rreziku brenda jetës së njeriut, duke filluar që nga fëmijëria, mund të parandalojnë apo ta shtyjnë sëmundjen gati për gjysmën e rasteve, shkruan CNN.

Duke u bazuar në faktet e fundit, të mërkurën në Komisionin e Lancetit për parandalimin e demencës, u përmendën dy faktorë rreziku, kolesteroli dhe humbja e shikimit, si dhe 12 faktorë të tjerë të cilët janë identifikuar në raportin e vitit 2020.

Rreziqe ekzistuese janë, edukimi i paktë, lëndimi i kokës, aktiviteti i paktë fizik, konsumimi i duhanit, konsumimi i shpeshtë i alkoolit, hipertensioni, mbipesha, humbja e dëgjimit, diabeti, depresioni, ajri i ndotur dhe kontakti i paktë social.

“Ekipi i shkencëtarëve deshi të përpilojnë dhe të shtojë fakte në mënyrë që të iu ndihmojnë njerëzve e qeverive që të kenë informacion më të qasshëm e më të besueshëm duke bërë edhe një agjendë të gjërave që ende nuk dihen. Progresi ndaj parandalimit dhe trajtimit të demencës është duke u përparuar”, ka thënë autori i raportit, doktori Gill Livingston, nga University College në Londër.

Ai ka cekur se 12 faktorët rrezikues kishin lidhje me 40 për qind të rasteve, por raporti i ri sugjeron se adresimi i 14 faktorëve rrezikues në kohën e duhur mund të ndihmojë për t’i eliminuar apo për t’i vonuar rastet e demencës deri në 45 për qind.

Shkencëtarët kanë gjetur se faktorët rrezikues që kishin lidhje me shumicën e njerëzve me demencë në botë, ishin kolesteroli i lartë, dëmtimi i dëgjimit, edukimi i paktë në fëmijëri dhe socializmi i paktë në moshë të shtyrë.

Sipas të dhënave të reja, Richard Issacson, neurolog nga Instituti i Sëmundjeve Neurodegjenarative në Floridë ka thënë se kritikë janë dy faktorët e ri rrezikues, kolesteroli i lartë dhe humbja e shikimit.

Dhjami i tepërt në trup mund të krijojë grumbullim të proteinës që quhet beta amyloide, e cila është shenjë e sëmundjes së Alzheimerit.

Një studim që u bë në janar të vitit 2022 ka sugjeruar se ushtrimet mund të ndihmojnë kundër demencës sepse rrisin nivelin e proteinës e cila forcon komunikimin ndërmjet qelizave të trurit. Ushtrimet gjithashtu mund të ulin nivelin e inflamacionit, i cili mbyt qelizat nervore. 

Të qenit i shoqërueshëm mund të ndihmojë në largimin e stresit.

Edukimi është gjithashtu shumë me rëndësi për shkak të shumë arsyeve.

“Edukimi e bën trurin më aktiv duke e bërë më të fortë kundër dëmtimeve, njerëzit mund të kenë ndryshime në jetë por mund të funksionojnë shumë mirë prapë se prapë. Edukimi gjithashtu u ndihmon njerëzve që të kenë vend të mirë pune dhe paratë ofrojnë më shumë zgjedhje, për shembull për shëndetin dhe vendin se ku zgjedh të jetojë dikush”, ka thënë Livingston.

Ekspertët rekomanduan se njerëzit në mbarë botën duhet t’i kenë parasysh faktorët rrezikues në mënyrë që të mbrohen nga demenca, të edukohen më shumë, të bëjnë aktivitet fizik, të ushqehen mirë e të qëndrojnë në ajër të pastër.