Një studimi i ri sugjeron se ngrënia e bananeve mund të jetë më efektive për uljen e tensionit të lartë të gjakut sesa vetëm kufizimi i konsumimit të kripës në ushqim, ka raportuar The Independent.
Pothuajse një e treta e të rriturve në mbarë botën vuajnë nga tensioni i lartë dhe pasojat që ai sjell, si sëmundjet e zemrës, sulmet në tru, por edhe problemet me veshkat apo demenca. Zakonisht, mjekët rekomandojnë që pacientët me tension të lartë të reduktojnë sasinë e natriumit (që gjendet në kripë), por ky studim i publikuar në revistën shkencore American Journal of Physiology – Renal Physiology tregon se edhe rritja e konsumimit të kaliumit, për shembull përmes bananeve, ndihmon në uljen e tensionit.
“Zakonisht, kur kemi tension të lartë, na thuhet të hamë më pak kripë. Kërkimi ynë sugjeron që shtimi i ushqimeve të pasura me kalium, si bananet apo brokoli, mund të ketë efekt edhe më të madh pozitiv në tensionin e gjakut sesa thjesht ulja e konsumimit të kripës”, thotë profesorja Anita Layton nga Universiteti i Waterloo-s, bashkautore e studimit.
Kaliumi dhe natriumi janë elektrolite që ndihmojnë trupin të transmetojë impulse elektrike, të nevojshme për tkurrjen e muskujve dhe funksione të tjera thelbësore si mbajtja e ujit në organizëm. Studimi i ri ka treguar se raporti ndërmjet kaliumit dhe natriumit mund të jetë më i rëndësishëm sesa sasia absolute e natriumit.
“Edhe pse lidhja mes konsumit të lartë të natriumit dhe tensionit të lartë është e njohur, efektet e dobishme të konsumimit më të madh të kaliumit janë injoruar ndër vite”, kanë vlerësuar studiuesit.
Ky studim përdor një model matematikor të veçantë që merr parasysh ndryshimet gjinore dhe simulimin se si përqendrimi i natriumit dhe kaliumit në trup ndikon në tensionin e gjakut.
Ai zbulon, për shembull, se burrat priren të zhvillojnë më lehtë tension të lartë krahasuar me gratë para menopauzës, por gjithashtu janë edhe më të ndjeshëm ndaj përmirësimit që sjell një raport më i lartë kalium/natrium.
“Paraardhësit tanë hanin shumë fruta dhe perime. Trupi ynë mund të jetë përshtatur që të funksionojë më mirë me një dietë të pasur me kalium dhe të varfër në natrium”, ka thënë bashkautorja tjetër e studimit, Melissa Stadt, kandidate për doktoraturë në Universitetin e Waterloos.
“Aktualisht, dietat perëndimore janë e kundërta, shumë kripë, pak kalium, dhe kjo mund të shpjegojë pse tensioni i lartë është kaq i përhapur në shoqëritë industriale, por jo tek ato më të izoluara”, ka shtuar Stadt.