Aktorja e mirënjohur, Eva Mendes, ka kërkuar nga gjigandi i produkteve ushqimore “Kellogg’s” që ta ndalojnë përdorimin e ngjyruesve të dëmshëm artificialë nga kornfleksat që prodhojnë.
50 vjeçja, e cila ka dy vajza me bashkëshortin e saj, aktorin e njohur, Ryan Gosling, ka bërë thirrje për 6.6 milionë ndjekës të saj në rrjetin social Instagram, që t’i bashkohen një marshi paqësor para ndërtesës së gjigandit ushqimor, ka shkruar Daily Mail.
“Jam rritur duke ngrënë kornfleksa por nuk do t’i konsumojë më ato të brendit ‘KelloggsUs’ pasi mora vesh se shumë produkte që përdoren për prodhimin e tyre këtu në SHBA janë të NDALUARA në shtete të tjera. Pse? Sepse janë të dëmshme për fëmijët”, ka shkruar Mendes.
Ajo pastaj bëri krahasimin e këtyre produkteve ushqimore që brendi prodhon në SHBA dhe atyre që po i njëjti brend i prodhon në Kanada.

Në kornfleksët e ‘Kellogg’s-it’ që prodhoheshin në Kanada, ngjyruesit ishin zëvendësuar me lëngje frutash të koncentruar si ai i boronicës, karotës dhe shalqirit.
Varianti amerikan përmbante ngjyrën e verdhë 5, të kuqe 40, të kaltër 1, të verdhë 6 si dhe kimikate të tjera të dëmshme, të cilat kanë lidhje me problemet shëndetësore te fëmijët.
Protesta u mbajt ditë më parë para zyrave të brendit në Michigan, SHBA, ku u mblodhën rreth 400 mijë nënshkrime në peticionin që kërkon ndalimin e përdorimit të ngjyruesve artificialë nëpër ushqime.
“Produktet tona si dhe përbërësit që përdorim për t’i krijuar ato, janë në përputhshmëri me normat e caktuara nga rregullatorët ushqimorë dhe ligjin. Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar që të t’i cekim përbërësit që përdorim nëpër paketimet e ushqimeve, në mënyrë që konsumuesit ta kenë më të lehtë të bëjnë zgjedhjen për ushqimin që duan të blejnë”, thuhet në një deklaratë të “Kellogg’s”.
Brendi gjithashtu pretendon se 85 për qind e kornfleksëve që prodhojnë nuk përmbajnë ngjyrues artificialë.
Ngjyrues ushqimorë, të tilla si e kuqja 40 e e verdha 5, janë ndaluar për përdorim nëpër ushqime në shumë shtete evropiane për shkak se studimet kanë treguar se këta ngjyrues kanë lidhje me hiperaktivitetin dhe sëmundjen e kancerit.
Ngjyruesit artificialë nuk janë prezent në shumë produkte ushqimore nëpër botë, si për shembull në Australi, por në SHBA vazhdojnë të jenë.
Brendi “Kellogg’s”, në vitin 2018, pati premtuar se do t’i heqë nga përdorimi ngjyruesit e kornfleksëve, premtim ky që ende nuk është përmbushur.