Një numër gjithnjë e më i madh studimesh i ka lidhur pijet dietale dhe ushqimet me pak ose pa kalori me shtimin e peshës. Kjo ka bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në maj të vitit 2023 ka këshilluar që të mos përdoren zëvendësuesit e sheqerit për humbje peshe, ka raportuar CNN.
“Zëvendësimi i sheqerit me ëmbëltues artificialë nuk ndihmon në kontrollimin afatgjatë të peshës”, ka thënë doktori Francesco Branca, drejtor i departamentit të sigurisë ushqimore në OBSH.
Një studim i ri ka treguar se konsumimi i tepërt i ëmbëltuesve artificialë që quhet sukraloz mund të ketë efekt të kundërt. Përkundër mesazhit që truri zakonisht jep për të ngrenë më pak, sukralozi stimulon urinë kur konsumohet përmes pijeve.
“Sukralozi aktivizon zonën e trurit që rregullon urinë, dhe ky aktivizim është i lidhur me një ndjesi më të madhe urie”, ka thënë doktoresha Katie Page, profesoreshë e asociuar e mjekësisë dhe pediatrisë në Universitetin e Kalifornisë Jugore.
Sipas studimit, personat që pinin ujë me sukraloz raportuan rritje të ndjenjës së urisë me 20% krahasuar me ata që pinin ujë me sheqer të zakonshëm.
Efekti i sukralozit në tru dhe oreks
Në SHBA, sukralozi është përbërësi kryesor i disa zëvendësuesve të sheqerit si Splenda, ndërsa në Evropë shitet me emrat Candys, Canderel Yellow, SucraPlus dhe të tjerë.
Doktori David Katz e ka cilësuar këtë si “studim me cilësi shumë të lartë, me metoda bashkëkohore dhe analizë të kujdesshme”.
Ai ka theksuar se rezultatet e studimit kanë treguar qartë se ëmbëltuesit pa kalori mund të ndikojnë negativisht në rregullimin normal të oreksit dhe kontrollin e peshës trupore.
Një zëdhënës i kompanisë “Heartland Food Products Group”, që prodhon Splenda, e ka kundërargumentuar këtë duke theksuar se “ëmbëltuesit me pak ose pa kalori rekomandohen nga profesionistët e shëndetit dhe organizatat kredibile për menaxhimin e diabetit dhe peshës”.
Ndikimi i sukralozit në ndjesinë e urisë
Studimi i ri, i publikuar në revistën Nature Metabolism, ka testuar 75 persona që konsumuan tri lloje pijesh në ditë të ndryshme: ujë të pastër, ujë të ëmbëlsuar me sheqer dhe ujë të ëmbëlsuar me sukraloz.
Pas konsumit të këtyre pijeve, pjesëmarrësit iu nënshtruan skanimeve të trurit me rezonancë magnetike (fMRI) dhe analizave të gjakut në intervale të ndryshme.
Rezultatet treguan se sukralozi jo vetëm që rriti ndjesinë e urisë me 17%, por gjithashtu ndryshoi lidhjen mes zonave të trurit që kontrollojnë motivimin dhe vendimmarrjen.
“Sukralozi duket se ndikon në aftësinë për të marrë vendime. Për shembull, ne pamë një lidhje të shtuar mes hipotalamusit dhe korteksit cingulat anterior, i cili kontrollon rrezikun dhe shpërblimin e marrjes së një vendimi”, ka shpjeguar Page.
Çfarë duhet bërë?
Rekomandimet mbi përdorimin e ëmbëltuesve artificialë janë të ndërlikuara. Shoqata Amerikane e Diabetit ka këshilluar përdorimin e pijeve pa kalori, por me masë.
Page ka theksuar se nuk rekomandohet që sheqeri të konsumohet më shumë, por ka sugjeruar uljen e përdorimit të ëmbëltuesve në përgjithësi.
“Një dietë e shëndetshme ka shumë pak sheqer të shtuar në radhë të parë, prandaj nuk ka nevojë që ai të zëvendësohet me sukraloz ose substanca të tjera”, ka thënë Katz.
Ai ka sugjeruar që njerëzit të reduktojnë gradualisht përdorimin e ëmbëltuesve duke i përshtatur shijet e tyre.
Studimet kanë treguar me kalimin e kohës, ushqimet që dikur dukeshin të shijshme, fillojnë të ndihen tepër të ëmbla ose të kripura.
“Në vend që të hiqni dorë nga të gjitha ëmbëlsirat, filloni duke shmangur burimet e fshehura të sheqerit që ndodhen në salca, bukë dhe ushqime të tjera të gatshme, si biskotat e ëmbla ashtu edhe ato të kripua”, ka thënë ai.