Lifestyle

Ekspertët thonë se injeksioni që merret dy herë në vit, ofron 100% mbrojtje nga HIV-i

Sunlenca- injeksioni kundër HIV-it

Rezultatet e studimit që u publikua të mërkurën, treguan se injeksioni që njihet me emrin Sunlenca, ndryshe i njohur si lenacapavir, e që merret dy herë në vit për ta trajtuat sëmundjen AIDS, ishte 100 për qind efektiv në parandalimin e infektimit, shkruan agjencia  “AP”.

Ekspertët kanë raportuar se nuk pati asnjë të infektuar në mes të 5000 grave e vajzave që morën pjesë në studim, i vili u bë në Afrikën e Jugut dhe Ugandë.

Në grupin që ju janë dhënë pilula parandalimi, vetëm 2% morën virusin përmes partnerit të infektuar.

“Të shohësh mbrojtjen në këtë nivel është e mrekullueshme”, ka thënë për injeksionin Salim Abdool Karim, drejtor në Qendrën kërkimore për AIDS në Durban të Afrikës së Jugut. 

Injeksionet që u krijuan nga gjiganti farmaceutik amerikan Gilead dhe që shiten me emrin Sunlenca, janë të aprovuara në SHBA, Kanada, Evropë e vende të tjera, por vetëm si trajtim për HIV-in. Kompania ka deklaruar se është duke pritur për rezultatet e testimit në burra, para se të kërkojë lejen për ta përdorur kundër infeksionit.

Rezultatet e efektit të injeksionit te gratë janë publikuar të mërkurën në revistën “New England Journal” dhe është diskutuar në konferencën e AIDS-it në Munich. Kompania Gilead ka paguar për studimin dhe studiuesit janë punonjës aty.

Për shkak të rezultateve inkurajuese, studimi u ndalua herët dhe injeksionet ju ofruan të gjithë pjesëmarrësve.

“Është lajm mjaft revolucionar për pacientët tanë. Kjo gjë u jep pacientëve mundësinë të zgjedhin dhe eliminojnë stigmën rreth pilulave për ta parandaluar HIV-in”, ka thënë Thandeka Nkosi, e cila ndihmoi në studimin që bëri Gilead.

Ekspertët që punojnë për parandalimin e përhapjes së AIDS-it ndonëse janë të entuziazmuar me injeksionin Sunlenca, ata janë të shqetësuar se kompania Gilead ende nuk është pajtuar për një çmim të përballueshëm për ata që kanë nevojë për këtë injeksion. 

“Gilead ka mjetin, me të cilin mund ta ndryshoje trajektoren e infeksionit me HIV”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e kompanisë, Winnie Byanyima.

Ajo lajmin për Sunlenca e krahasoi me zbulimin që ishte bërë dekada më parë, të disa ilaçeve që mund ta shndërronin virusin HIV nga një sëmundje vdekjeprurëse në një sëmundje kronike. Në atë kohë, presidenti i Afrikës Jugore, Nelson Mandela pezulloi licencat në mënyrë që pacientët të kishin qasje më të gjerë në këto ilaçe, e si rrjedhojë çmimi ra nga 10 mijë dollarë për pacient në vit, në rreth 50 dollarë.

Mjekja Olwethu Kemele, e cila punon ne fondacionin shëndetësore Desmond Tutu, ka parashikuar se injeksioni mund të rrisë numrin e njerëzve që parandalojnë infektimin, gjë që mund ta ndalojë virusin të shpërndahet më shumë.

Ajo ka thënë se vajzat e reja shpesh i fshehin pilulat në mënyrë që t’i shmangen pyetjeve të partnerëve e familjeve.

“Kjo gjë e bën të zorshme për vajzat që ta vazhdojnë terapinë me pilula”, ka thënë ajo.

Në raportin për gjendjen e epidemisë globale, i cili u publikua këtë javë, UNAIDS ka deklaruar se ka më pak njerëz të infektuar me HIV në vitin 2023, se sa në çdo moment që nga fundi i viteve ‘80.

HIV-i infekton 1.3 milionë njerëz çdo vit në mbarë botën dhe vret më shumë se 600 mijë, kryesisht në Afrikë. Ndërkohë që është bërë progres domethënës në Afrikë, infektimet me HIV janë rritur në Evropë Lindore, Amerikë Latine dhe Lindje të Mesme.

Në të tjera studime që janë prezantuar në konferencën për AIDS, Andrew Hill dhe kolegët e tij nga Universiteti i Liverpoolit, vlerësuan se sapo të zgjerohet prodhimi i ilaçit Sunlenca në mënyrë që të trajtohen 10 milionë njerëz, çmimi duhet të bie në 40 dollarë për një trajtim. Ai ka thënë se është më rëndësi që autoritet shëndetësore të kenë qasje në Sunlenca sa më parë që të jetë e mundur. 

“Kjo është pika më e afërt që mund të arrihet drejt një vaksine”, ka thënë ai.