Lifestyle

Ekspertët shëndetësorë të shqetësuar se gripi i shpendëve mund të kthehet në pandemi

Gripi i shpendëve

Gripi i shpendëve

Foto: Associated Press

Ekspertët kanë paralajmëruar se njerëzit duhet të veprojnë menjëherë për të parandaluar një pandemi të mundshme të gripit të shpendëve dhe për të shpëtuar jetë, ka raportuar The Sun.

Varianti H5N1, tashmë i përhapur nga shpendët te gjitarët si lopët, ka kaluar edhe te disa punëtorë të fermave, duke shtuar frikën se mund të pësojë mutacione që do ta lejojnë të transmetohet midis njerëzve.

Megjithëse shumica e rasteve në njerëz kanë qenë të lehta, me simptoma si konjunktiviti, lodhja dhe dhimbja e fytit, shkencëtarët kanë paralajmëruar se virusi mund të bëhet më i rrezikshëm nëse vazhdon të evoluojë.

Muajin e kaluar, SHBA-ja ka raportuar vdekjen e parë nga virusi H5N1 këtë vit, që ishte një burrë në të 60-at nga Luiziana. Analiza gjenetike ka treguar se virusi kishte evoluar brenda trupit të tij, duke rritur shqetësimet për mundësinë e një infeksioni më të rëndë.

Përhapja e virusit nëpërmjet erës?

Shkencëtarët çekë kanë ngritur shqetësimin se virusi shumë patogjenik mund të jetë duke u përhapur nëpërmjet erës, skenar ky që më parë konsiderohej i pamundur. Deri tani, besohej se infektimi ndodhte vetëm përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me zogjtë e infektuar ose me jashtëqitjen e tyre.

Një studim i fundit tregoi se disa ferma të prekura nga virusi nuk kishin lidhje direkte me njëra-tjetrën, as ujëra të kontaminuara ose shpendë të egër në afërsi, duke sugjeruar se era mund të ketë qenë faktori kryesor i transmetimit.

Thirrje për përgatitje të menjëhershme

Në një letër të publikuar në revistën Science, ekspertë nga SHBA-ja kërkojnë veprime të menjëhershme për të parandaluar një pandemi të mundshme.

“Potenciali i H5N1 për t’u përhapur kërkon veprim urgjent për të mbushur boshllëqet në përgatitjen pandemike. Ngritja e gatishmërisë tani mund të shpëtojë jetë dhe të zvogëlojë ndikimin shoqëror dhe ekonomik nëse H5N1 ose një tjetër virus bëhet pandemi”, ka shkruar doktoresha Jesse Goodman nga Universiteti Georgetown.

Një nga shqetësimet kryesore mbetet zhvillimi i vaksinave, i cili ka qenë i ngadaltë. Aktualisht, shumica e vaksinave mbështeten në teknologjinë proteinike, e cila kërkon muaj për t’u prodhuar. 
Shkencëtarët kanë sugjeruar që një vaksinë me mRNA, e ngjashme me ato kundër Covid-19, mund të përshpejtojë procesin, por vetëm nëse qeveritë dhe rregullatorët veprojnë më shpejt.

Ekspertët gjithashtu kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit global për të garantuar shpërndarjen e barabartë të vaksinave dhe trajtimeve, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e përfshiu gripin e shpendëve në listën e saj me “37 patogjenët me potencial pandemik”, ndërsa Britania ka njoftuar së fundmi se ka siguruar pesë milionë doza të një vaksine kundër H5N1.

Me shqetësimet në rritje për mutacionet dhe mënyrat e reja të transmetimit të virusit, shkencëtarët kanë kërkuar që qeveritë të ndërmarrin veprime urgjente për të parandaluar një pandemi të mundshme që mund të ketë pasoja shkatërruese.