Në fillim të vitit 2020, miliona amerikanë u detyruan të shtyjnë kontrollet rutinë për kancer, si kolonoskopitë, mamografitë dhe skanimet e mushkërive, pasi pandemia COVID-19 e mbingarkoi sistemin shëndetësor. Por, lajmi i mirë është se këto vonesa nuk duket se kanë ndikuar keq në statistikat e kancerit, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Një raport i ri i botuar të hënën në revistën Cancer, ka sjellë analizën më të gjerë deri më tani mbi ndikimin e pandemisë në të dhënat e kancerit në SHBA. Sipas raportit, vdekshmëria nga kanceri vazhdon të bie dhe nuk ka pasur rritje të ndjeshme të diagnostikimeve në fazat e vonshme.
“Është shumë qetësuese. Deri më tani nuk kemi parë ndonjë rritje të dukshme të diagnozave në fazë të avancuar, gjë që e bën të pamundur që të ketë një valë vdekjesh nga kanceri që lidhet me pandeminë”, ka thënë autorja kryesore e studimit, Recinda Sherman, nga Shoqata e Regjistrave Qendrorë të Kancerit në Amerikën e Veriut.
Në vitin 2020 u regjistrua rënie në numrin e rasteve të reja me kancer, gjë që besohet se lidhet me mungesën e vizitave rutinë. Por deri në vitin 2021, këto shifra u kthyen në nivelet e para pandemisë.
Çfarë tregojnë shifrat?
Për shumicën e llojeve të kancerit, diagnozat në fazat e avancuara u rritën pak në vitin 2020, por më pas ranë përsëri në vitin 2021. Disa përjashtime ishin kanceri i qafës së mitrës dhe ai i prostatës, ku u vu re rritje e vogël e diagnozave të vonshme, por nuk konsiderohen shqetësuese.
“Ne nuk pamë asnjë lëvizje të jashtëzakonshme. Prandaj është e pamundur që personat me sëmundje agresive të kenë mbetur pa u diagnostikuar gjatë asaj periudhe”, theksoi Sherman.
Raporti u hartua nga: Shoqata e Regjistrave Qendrorë të Kancerit në Amerikën e Veriut, Instituti Kombëtar i Kancerit në SHBA, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Shoqata Amerikane për Kancerin.
- Të dhënat përfshijnë vetëm periudhën deri në fund të vitit 2021. Ndërkohë që rezultatet janë premtuese, hulumtimet do të vazhdojnë për të parë efektet afatgjata të pandemisë.