Lifestyle

Edhe të rriturit mund të zhvillojnë alergji sezonale

Alergjitë sezonale

Alergjitë sezonale

Pas shumë viteve pa simptoma, dikush mund të përballet papritur me teshtima dhe rrjedhje të hundës, ashtu si miliona njerëz të tjerë që vuajnë nga alergjitë sezonale. 

“Shumë njerëz i mendojnë alergjitë si diçka të fëmijërisë dhe jo si diçka që mund ta zhvillojnë më vonë në jetë”, ka thënë doktoresha Tolly Epstein, profesoreshë në Universitetin e Mjekësisë në Cincinnati, e cila hulumton alergjitë dhe imunologjinë, ka shkruar The New York Times.

Sipas saj, “është shumë e zakonshme të zhvillohen alergji të reja”, veçanërisht te njerëzit 20, 30 e 40 vjeç. Epstein ka theksuar se simptomat nuk janë gjithmonë të qarta.

Shumica e njerëzve me alergji sezonale përjetojnë teshtima, kruarje të syve ose hundë të zëna.

“Megjithatë, këto mund të shoqërohen edhe me lodhje, dhimbje koke ose presion të sinuseve, simptoma që mund të ngatërrohen me ato të ftohjes, nëse dikush nuk ka pasur më parë alergji”, ka theksuar Epstein.

Nëse kohët e fundit dikush mund të ketë zhvilluar alergji ndaj polenit, mund të përjetojë edhe kruarje të gojës pasi të konsumojë disa fruta dhe perime të freskëta. 

Doktori Andrew Rorie, profesor në Universitetin e Mjekësisë në Nebraska, ka thënë se kjo ndodh sepse sistemi imunitar ngatërron proteinat e bimëve me ato të polenit.

Pse zhvillohen alergjitë sezonale?

Alergjitë sezonale janë reagime ndaj elementeve mjedisore si poleni apo sporet e mykut, të cilat qarkullojnë në ajër gjatë periudhave të caktuara të vitit, si në pranverë kur bimët lëshojnë polenin. 

Kur dikush është alergjik ndaj polenit, sistemi imunitar e percepton atë si kërcënim dhe shkakton reagim zinxhiror, duke çliruar kimikate si histamina, që çojnë në teshtima, rrjedhje hundësh ose bllokim të hundëve.

Shkencëtarët ende nuk janë të sigurt pse njerëzit zhvillojnë alergji të reja pas shumë vitesh pa simptoma, por ka disa shpjegime të mundshme. Sipas eskpertëve, ndryshimet klimatike po e zgjasin sezonin e alergjive, duke rritur mundësinë për të zhvilluar simptoma të reja.

“Gjithashtu, disa infeksione si të ftohurit mund të dëmtojnë membranat mbrojtëse të mukozës, duke dobësuar aftësinë e trupit për të mbajtur larg alergjenët”, ka thënë doktoresha Alkis Togias nga Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.

Ndërsa doktoresha Caroline Sokol nga Spitali i Përgjithshëm i Massachusettsit, ka thënë se vendbanimi dhe sa kohë dikush ka jetuar aty, gjithashtu ka ndikim. 

“Për disa, shpërngulja në një vend të ri mund të sjellë lehtësim, ndërsa për të tjerët mund të shkaktojë probleme të reja. Nëse keni jetuar gjatë në një vend, trupi juaj mund të zhvillojë reagime ndaj alergjenëve që i hasni vazhdimisht”, ka thënë doktoresha.

Si të dallohen alergjitë dhe si të trajtohen?

Alergjitë sezonale mund të ndikojnë në cilësinë e jetës, duke prekur humorin dhe produktivitetin në punë.

“Çfarëdo që të bëni, nuk do ta bëni mirë”, ka thënë Togias.

Megjithatë, teshtimat dhe rrjedhjet e hundëve gjatë pranverës nuk shkaktohen gjithmonë nga alergjitë. Sokol ka theksuar se mund të jetë inflamacion i zakonshëm i hundës nga poleni ose ndotja, pa aktivizuar sistemin imunitar.

“Nëse medikamentet për alergji funksionojnë ose nëse përjetoni simptoma të vazhdueshme gjatë ditëve me shumë polen, atëherë ka gjasa që keni alergji sezonale”, ka thënë doktoresha.

Për të lehtësuar simptomat, mund të përdoren ilaçe me antihistaminë ose spërkatës me kortikosteroide pa recetë.

Gjithashtu, imunoterapia si injeksionet kundër alergjive mund të ndihmojë në zvogëlimin e reagimeve të trupit ndaj alergjenëve.

Sipas doktorit Jonathan Spergel nga Spitali i Fëmijëve në Filadelfia, disa masa të thjeshta për të minimizuar shqetësimet janë:

-Të lani duart dhe fytyrën sapo të hyni në shtëpi,

-Të bëni dush para se të flini dhe 

-T'i mbani dritaret të mbyllura.