Zhurma do të mund të jetë një lloj zgjidhje për fëmijët e të rriturit që kanë probleme me çrregullimin e vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD).
Një studim që u bë së fundmi e që u publikua në gazetën American Academy of Child and Adolesence Psychiatry, ka sugjeruar se ekspozimi ndaj zhurmave të bardha (term që i referohet zhurmës që dëgjon bebja në barkun e nënës) dhe zhurmave rozë (term që i referohet zhurmës së rënies së ngadalshme të shiut), mund të përmirësojë sjelljet tek individët që kanë ADHD, duke ofruar potencial për trajtim.
ADHD-ja është çrregullimin neurozhvillimor shumë i shpeshtë, i cili prek fëmijët dhe adoleshentët, ndërkohë që 10 për qind e këtyre moshave diagnostikohen me këtë çrregullim.
Trajtimet tradicionale për ADHD zakonisht përfshijnë medikamente dhe terapi për përmirësimin e sjelljes, të cilat mund të jenë efektive. Sidoqoftë, këto trajtime vinë me sfida në vete, me efekte anësore dhe qasje të limituar në kujdes adekuat, sidomos në komunitetet e ku sistemi shëndetësor nuk është i zhvilluar.
Ka rritje të interesimit për trajtim pa medikamente, i cili mund të jetë më i sigurt, më i qasshëm dhe ka më pak predispozita të ketë efekte anësore. Prandaj terapia me ekspozim ndaj zhurmës së bardhë po konsiderohet si mjet potencial për të përmirësuar fokusin dhe performancën e aftësive njohëse.
Ideja e përdorimit të këtyre zhurmave për ta trajtuar ADHD-në nuk është krejtësisht e re. Në fakt ka kohë që ekziston nocioni se stimuluesit e jashtëm si tingujt e ndryshëm, mund të ndihmojnë për të përmirësuar vëmendjen tek individët e diagnostikuar me ADHD.
Në këtë mund të ndikojë edhe zhurma kafe, e cila ndryshe njihet edhe si e kuqe, është ajo që ngjason me rënie më të rrufeshme të shiut, ku përfshihen edhe bubullimat e tingujt e ujëvarave të fuqishme.
“Pasi terapitë e deritanishme funksionojnë vetëm pjesërisht, është kritike që të vazhdojmë të analizojmë alternativa komplementare në ndihmë të atyre të jetojnë me ADHD. Prioriteti ynë është t’i gjejmë mjetet më të mira në mënyrë që t’i fuqizojmë njerëzit për të jetuar jetën në mënyrën më të mirë të mundshme si dhe sigurimi i një udhëzimi të bazuar në prova, që njerëzit të mund të kenë qasje të lehtë në të, siç janë zhurmat e bardha dhe ato rozë”, ka thënë autori i studimit Joel Nigg nga Orefgon Health & Care University.
Ekipi i studiuesve në mënyrë sistematike ka mbledhur të dhëna nga 13 studime që janë bërë më parë e që kanë treguar rreth efektit që kanë zhurmat e ndryshme tek individët që patën çrregullime ADHD dhe kanë krahasuar sjelljet e 335 pjesëmarrësve që u ekspozuan ndaj zhurmave të ndryshme ndërsa iu nënshtruan disa testeve.
Në përgjithësi, shkencëtarët kanë gjetur se ekspozimi ndaj zhurmave të bardha dhe atyre rozë pati ndikim të vogël por domethënës me efekt pozitiv në kryerjen e testeve apo detyrave që patën pjesëmarrësit fëmijë dhe adoleshentë të diagnostikuar me ADHD.
Këto gjetje sugjerojnë se zhurmat e caktuara mund të ndihmojnë në përmirësimin e sjelljes dhe fokusit për kryerjen e detyrave.
Ndërkohë që këto gjetje janë premtuese, ka disa kufizime që duhet të shqyrtohen në studime të tjera që bëhen në të ardhmen me më shumë pjesëmarrës me etni të ndryshme ku duhet të inkuadrohen më shumë lloje të zhurmave dhe do të ndryshojë kohëzgjatja e ekspozimit ndaj tyre.
“Ani pse duhen bërë ende studime, këto rezultate janë inkurajuese”, ka thënë Nigg.