Lifestyle

Disa këshilla rreth agjërimit

Muaji i Ramazanit

Muaji i Ramazanit

Foto: Associated Press

Agjërimi është praktikë e rëndësishme në tradita fetare dhe, në shumicën e rasteve, mund të realizohet në mënyrë të sigurt. Megjithatë, nëse keni probleme shëndetësore, apo bëhet fjalë për shtatzëni, gjidhënia, diabet apo ndonjë sëmundje, është e rëndësishme që nëse dikush dëshiron të agjërojë, të konsultohet paraprakisht me mjekun për të përcaktuar nëse mund të realizohet agjërimi pa rrezik, raporton Health.Cornell.edu.

Nëse dikush përdor medikamente, duhet të bisedojë me mjekun për të kuptuar nëse mund të ndalohen përkohësisht apo të merren pa ushqim dhe lëngje. Në rast se dikush ndihet keq gjatë agjërimit, duhet të pushojë, të pijë ujë apo pak lëng frutash dhe të kërkojë ndihmë mjekësore nëse simptomat nuk përmirësohen.

Këshilla për agjërim të shëndetshëm gjatë Ramazanit nga Sonya Islam, që është ish- dietologe e licencuar dhe praktikuese e fesë myslimane.

Hidratimi

Ajo ka rekomanduar të pini ujë disa herë gjatë natës, edhe nëse nuk ndjeni etje - sepse etja është shenjë që trupi tashmë është i dehidratuar. 

“Thyerja e agjërimit me ujë është tradicionale dhe e dobishme, pasi i jep trupit hidratimin e nevojshëm përpara se të hutohemi me ushqimin”, ka thënë ajo.

Shmangni pijet me kafeinë, pasi mund të dehidratojnë trupin. Megjithatë, mos e teproni duke pirë sasi të mëdha uji menjëherë, sepse mund të shkaktojë gjendje të rrezikshme të quajtur intoksikim nga uji.

Ushqyerja në mënyrë të larmishme

Pas një dite agjërimi, trupi ka nevojë për ushqime të shëndetshme për të rimarrë energjinë. 

Një vakt i balancuar duhet të përfshijë drithëra të plota, perime, fruta, proteina të shëndetshme dhe yndyra të mira (si vaji i ullirit dhe arrat).

Kujdes me sasinë e ushqimit

Trupit i duhen rreth 20 minuta për të kuptuar që është ngopur. Prandaj, mos e teproni me ushqimin gjatë iftarit. 

“Të hash me vetëdije dhe të ndalosh kur ndihesh i ngopur është më e shëndetshme sesa të konsumosh vakte të rënda”, ka thënë Islam.

 

Aktiviteti fizik

Edhe pse agjërimi mund të lodhë fizikisht, është mirë të mos qëndroni plotësisht pasivë. 

Në vend që të bëni ushtrime të rënda gjatë ditës, mund të provoni ecje të lehta ose aktivitet të moderuar pas iftarit.

 

Si të përgatiteni për syfyr (vaktin e mëngjesit)

 

Një syfyr i mirë ndihmon në ruajtjen e niveleve të sheqerit në gjak dhe të energjisë gjatë ditës. 

Ushqimet me të shëndetshme për syfyr, sipas dietologes:

Drithëra të plota – bukë integrale, oriz kafe, bollgur.

Fruta dhe perime të freskëta – sigurojnë fibra dhe vitamina.

Proteina – qumësht, kos, vezë, arra.

Yndyrna të shëndetshme – vaji i ullirit, arra, bajame.

Gjeni ritmin tuaj. Eksperimentoni me oraret e ushqimit për të parë se çfarë ju funksionon më mirë.

Dëgjoni trupin tuaj. Nëse ndjeni vështirësi me agjërimin, kërkoni këshilla nga një mjek ose dietolog.

Islam ka thënë se më e rëndësishmja është të festoni!

“Kjo është një periudhë e veçantë e vitit! Gëzoni momentet e darkës me familjen, jepni ndihmë për të tjerët dhe tregoni mirëkuptim ndaj vetes dhe të tjerëve”, ka thënë ajo.

Kush përjashtohet nga agjërimi?

Sipas rregullave islame, personat e mëposhtëm zakonisht përjashtohen nga agjërimi:

Fëmijët e vegjël

Gratë shtatzëna, lehonat ose ato që janë ne periudhën e ciklit menstrual

Udhëtarët e largët

Personat me sëmundje akute apo kronike që mund të kenë telashe nga agjërimi

Personat e moshuar ose ata që nuk janë të aftë mendërisht për të kuptuar qëllimin e agjërimit