Lifestyle

Disa këshilla për të mbrojtur sytë nga dëmtimi që mund të ndodhë me moshën

Mbrojtja e syve

Kohëzgjatja e ekspozimit ndaj ekranit, ushqyerja e dobët dhe shkaqet mjedisore mund të kontribuojnë në dëmtimin e syve, duke shkaktuar probleme si thatësia e tyre. 

Sipas librit “Eyes of the Workplace” të publikuar nga National Academies Press US në vitin 1988, specialistët e syve kishin vlerësuar se retina e një 60-vjeçari merr vetëm një të tretën e dritës që merr retina e një 20-vjeçari.

Megjithatë, lajmi i mirë është se disa zakone të thjeshta, por efektive, mund t’i mbajnë sytë të shëndetshëm për shumë vjet.

Times of India ka shkruar disa këshilla të rëndësishme për të mbrojtur shikimin ndërsa njeriu plaket

Zbatimi i rregullës 20-20-20

Me rritjen e varësisë nga telefonat e mençur dhe kompjuterët, sytë tanë janë të ekspozuar vazhdimisht ndaj stresit digjital. Rregulli 20-20-20 mund të jetë ndihmë e madhe: çdo 20 minuta, të shikoni diçka që ndodhet 20 metra larg për 20 sekonda. 

Ky zakon i thjeshtë ndihmon në relaksimin e muskujve të syve, ul lodhjen dhe parandalon thatësinë që shkaktohet nga shikimi në ekrane për periudha të gjata.

Ushqimi që ndihmon shëndetin e syve
Personat që kanë probleme me sytë, duhet të ushqehen me perime me gjethe të gjelbra si spinaqi. 

Për syrin është e mirë edhe karota pasi përmban betakaroten. Acidet yndyrore omega-3, të cilat gjenden te farat e lirit dhe arrat, janë të mira për të luftuar thatësinë e syve. Po ashtu, turmeriku është erëz e njohur për vetitë e saj anti-inflamatore që mbrojnë kundër dëmtimit të syve që mund të ndodhë me moshën.

Mbrojtja e syve nga dielli

Dielli mund të jetë i ashpër, veçanërisht gjatë verës. Rrezet ultra vjollcë (UV) janë shkaktar kryesor i katarakteve dhe sëmundjeve të tjera të syve. 

Investimi në syze dielli me mbrojtje 100% ndaj rrezatimit UV, madje edhe në ditët me re, ndihmon në mbrojtjen e syve. Nëse dikush kalon shumë kohë jashtë, mbajtja e një kapele me strehë të gjerë mund të ofrojë mbrojtje shtesë për sytë.

Hidratimi

Dehidratimi mund të çojë në thatësi të syve, një problem i zakonshëm që ndodh me moshën. Duhet konsumuar të paktën 8-10 gota ujë çdo ditë në mënyrë që edhe sytë të qëndrojnë të hidratuar.

Shumë njerëz mbështeten shumë në pika për sy, që mund të blihen pa recetë të mjekut, për lehtësim të përkohshëm të tharjes ose skuqjes, por përdorimi i tepruar mund t’i bëjë sytë të varen nga to. 

Kontrollat e rregullta të syve

Problemet me sytë shpesh nuk vihen re deri sa të bëhen të rënda. Për personat mbi 40 vjeç, kontrollet e rregullta të syve janë të rëndësishme për të zbuluar herët problemet shëndetësore si glaukoma ose retinopatia diabetike. Nëse dikush ka diabet ose hipertension, këto vizita janë të domosdoshme pasi mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shikim. Parandalimi është gjithmonë më i mirë se kurimi.