Dietat që përmbajnë pak kalori po anashkalohen ndërkohë që njerëzit që i kushtojnë shumë rëndësi një stili të shëndetshëm të jetesës po ndjekin dieta më të pasura që ushqejnë trupin dhe mendjen.
Në kohët moderne konsumimi i ushqimit që është i shëndetshëm për zemër mund të përkthehet në përfitime shëndetësore afatgjate.
Dieta e balancuar duhet të përmbajë diversitet të vlerave ushqyese, ku përfshihen vlerat ushqyese makro dhe mikro, ato të mira për zorrët dhe të jetë një ushqim që mund të konsumohet për çdo ditë.
Shtimi i llojeve të ndryshme të frutave dhe perimeve, drithërave të plota, pro biotikëve, peshkut, vezëve, thjerrëzave, farave e arrorëve, orizit të kafenjtë, e bën dietën të jetë e mirë për zemrën.
“Times of India” ka shkruar se cilat janë dietat më të mira për shëndetin në përgjithësi.

1. Dieta mediterane
Kjo mënyrë e të ushqyerit që u bë e njohur diku rreth gjysmës së shekullit XX, në vendet mesdhetare, ka arritur t’ua marrë vëmendjen entuziastëve të mirëqenies dhe është aprovuar nga shkencëtarët, të cilët kanë bërë lidhshmëri në mes të kësaj diete me uljen e rrezikut nga sëmundjet e zemrës.
Dieta mediterane është një përzierje e gjerë e frutave të freskëta, perimeve, thjerrëzave, arroreve, drithërave të plota, vajit të ullirit, peshkut, pak ose aspak mish të kuq.
Kjo dietë përveç që ndikon tek ulja e peshës së tepërt, do ta mbrojë trupin edhe nga sëmundjet e zemrës, do të ulë rrezikun nga sulmi në zemër, si dhe diabetin.
Një studim që është publikuar në revistën “Neurology”, ka gjetur se kjo dietë shërben edhe për përmirësim të kujtesës dhe funksionim të trurit.

2. Ngrënia me orar të caktuar
Ngrënia me orar të caktuar, nënkupton caktimin e një orari brenda të cilit lejohet konsumimi i ushqimit, ndërkohë që jashtë atij orari nuk lejohet. Pra, kjo lloj diete i ngjan agjërimit, por me ndryshim të orarit kur lejohet konsumimi i ushqimit. Kjo dietë funksionon duke i dhënë trupit kohën që i nevojitet për të djegur kaloritë e marra nga ushqimi i konsumuar paraprakisht.
Studimi që u publikua në “New England Journal of Medicine”, tregon se ngrënia për një periudhë të caktuar kohore ofron shumë të mira shëndetësore, që nga jetëgjatësia, trupi më i formuar dhe mendja më e mprehtë. Pasi kjo dietë mund të parandalojë mbipeshën do të mund t’i mbrojë njerëzit edhe nga sëmundja e diabetit, ajo e zemrës si dhe sëmundjet neurodegjenerative.

3. Dieta atlantike
E ngjashme me dietën mediterane është ajo atlantike, pasi kjo mënyrë e të ngrënit përmban zakone tradicionale të konsumimit të ushqimit nga njerëzit e vendeve veriperëndimore, si Spanja e Portugalia. Kjo dietë ka për qëllim fokusimin tek ushqimi jo i procesuar, frutat e perimet, arroret, buka e bërë me drithëra të plota, peshku, bulmeti, vezët, vaji i ullirit si dhe mishi i kuq e vera.
Një studim që është publikuar në “JAMA”, tregon se nëse dikush e mban dietën atlantike për gjashtë muaj, mund ta ulë rrezikun nga mbipesha, tensioni i lartë i gjakut, niveli i lartë i sheqerit në gjak, nivelin e yndyrës së lartë në gjak, ulë rrezikun nga sëmundjet e zemrës si dhe diabeti i tipit 2.
Një studim i publikuar në “European Journal of Preventive Cardiology”, ka gjetur se dieta atlantike ka ndikuar në uljen e vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.

4. Dieta DASH
Një nga dietat më të mira për shëndetin e zemrës, DASH, mund t’i ulë faktorët e mëdhenj rrezikues për sëmundjet e zemrës. Pasi është e pasur me kalium, magnez dhe kalcium, kjo dietë ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe nivelin e kolesterolit.
Kjo dietë përmban shumë fruta e perime dhe drithëra të plota, produkte pa yndyrë apo me pak yndyrë, peshk, mish shpezësh, fasule, arrore dhe vaje bimore, ndërkohë që nuk konsumohen yndyra të saturuara, si për shembull mishi me dhjam, bulmeti me yndyrtë të plotë dhe vaji i kokosit e ai i palmës.
Duke ndjekur këtë dietë, individët do të mund të kenë zemër më të shëndetshme dhe të parandalojnë sulmin në zemër, arrestin kardiak dhe të tjera probleme kardiovaskulare.