Njerëzve që vuajnë nga diabeti i tipit 2, së shpejti mund të ju ofrohet një lloj diete, ku përfshihet ndë të tjera një supë që përmban 800 kalori. Shkencëtarët gjetën se një e treta e pjesëmarrësve në një hulumtim, e kanë kuruar sëmundjen pasi ju përmbajtën dietës në fjalë.
Pacientëve mjekët po ju ofrojnë një lloj diete, e cila përmban supa, e lëngje të përgatitura me pemë e perime si dhe biskota të shëndetshme, për tre muaj, me qëllim që të bien në peshë, para se të rifillojnë përdorimin e ushqimit të shëndetshëm normal, shkruan “The Guardian”.
Aktualisht, 10 mijë njerëz në vit mund të kenë qasje në dietën e përgatitur dhe rezultatet nga këto hulumtime po i shtyjnë mjekët që ta zgjerojnë këtë program.
Sipas studimit që u publikua në Lancet Diabetes and Endocrinology Journal, disa persona që përdorën këtë dietë, kanë humbur 17.4 kilogramë. Gati një e treta e pjesëmarrësve u kuruan nga sëmundja e diabetit të tipit 2.
Programi që zgjat një vit, u ndihmon njerëzit të fillojnë të humbin peshë me dietën që përmban ushqime që kanë pak kalori dhe regjimi i dietës ndiqet për 12 javë. Pjesëmarrësit pastaj inkurajohen të rifillojnë të hanë ushqim të shëndetshëm dhe të marrin mbështetje mjekësore për ta mbajtur peshën e duhur.
Shërbimi shëndetësor në Britani ka deklaruar se studimi ka treguar se programi që e shlyen diabetin e tipit 2 mund t’u hyjë në punë mijëra njerëzve që e kanë këtë sëmundje.
Studimi ka ekzaminuar të dhënat e 1740 njerëzve që filluan dietën para muajit janar të vitit 2022. 945 prej tyre e kompletuan programin 1-vjeçar duke ju përmbajtur dietës, duke mbikëqyrur peshën trupore për 12 muaj si dhe duke monitoruar pasqyrën e gjakut dy herë brenda këtyre muajve.
Në këtë grup 32 për qind të pacientëve u kuruan nga diabeti i tipit 2, duke e ulur nivelin e glukozës në gjak brenda periudhës së caktuar kohore dhe ulën peshën trupore për 15.9 kilogramë. Disa kanë arritur që të heqin 17.4 kilogramë.
Doktoresha, Claire Hambling, nga Shërbimi Shëndetësor në Britani, ka thënë se ky program ofron benefite të mëdha të cilat do të mund të ua ndryshojnë jetën pacientëve me mbipeshë e diabet të tipi 2.
“Ne e dimë që mbipesha është një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin në Britani dhe do të jetë një nga sfidat më të mëdha për sektorin shëndetësor në botë, prandaj pasi po shohim rezultatet kaq inkurajuese nga programi jonë, i cili po tregon që mbipesha mund të trajtohet mjaft shpejt, mezi po presim ta zgjerojmë këtë program”, ka thënë ajo.
Doktoresha Elizabeth Robertson, drejtoreshë e studimit në Diabetes UK, ka thënë se programi mund të ju ndihmojë mijëra njerëzve që vuajnë nga diabeti i tipit 2 dhe atyre me mbipeshë.
“Ky program mund të ju ndihmojë mijëra personave, ndërkohë që e dimë se sa vështirë është të humbësh peshën e tepërt e të gjesh mbështetje mjekësore. Shpresojmë të shohim edhe shumë e më shumë njerëz që përfitojnë nga ky program në vitet në vijim, sidomos ata që janë diagnostikuar së fundmi me diabet të tipit 2”, ka thënë ajo.
Më shumë se 25 mijë persona kanë përfituar nga ky program që kur u lansua në vitin 2020. Në muajin maj të këtij viti, punonjësit e shërbimit shëndetësor në Britani, kanë deklaruar se dieta do t’u ofrohet 50 mijë njerëzve në të gjithë Britaninë, përgjatë pesë vjetëve, duke dyfishuar kapacitetin e programit.
Në këtë projekt, gjatë këtij viti, studiuesit kanë dhënë 13 mijë funte britanike në mënyrë që të sigurohen që të përfitojnë sa më shumë nga dieta.