Stagnon numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit, ndërkohë që rritet numri i pacienteve të reja
Numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit ka stagnuar për dekada në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por është shtuar shqetësimi për shkak të rritjes së numrit të diagnostikimeve tek gratë nën moshën 50-vjeçare.
Kështu thuhet në raportin e ri të vitit 2024, të statistikave që ka bërë “American Cancer Society”, shkruan FoxNews.
Lajmi i mirë është se që nga viti 1989, vdekjet nga kanceri i gjirit kanë shënuar rënie përgjithësisht deri në 44 për qind, por diagnostikimet me këtë sëmundje janë rritur për 1 për qind çdo vit, ndërmjet viteve 2012 dhe 2021.
Raporti tregon se rritja më e madhe është parë në mes moshës më të re se 50 vjeç (1.4 për qind për vit) dhe tek gratë amerikano-aziatike ( më shumë se 2.7 për qind për vit).
Gjetjet janë publikuar në “CA: A Cancer Journal for Clinicians”.
“Ani pse shkalla e vdekjeve nga kanceri i gjirit ka rënë për 44 për qind duke ju falënderuar avancimit të kontrolleve të hershme, rritja e vazhdueshme e rasteve të reja mund të ngadalësohet në të ardhmen”, ka thënë autorja e raportit Angela Giaquinto.
Ajo ka thënë se kjo qëndron posaçërisht tek rastet e grave më të reja se 50 vjeçe, shkalla e të cilave po rritet nga 1.4 për qind për çdo vit, krahasuar me 0.7 për qind për vit tek gratë më të vjetra.
Doktori William Dahut ka cekur se gratë kanë shumë më pak gjasa të vdesin nga kanceri i gjirit, por shqetësimet alarmuese mbesin, sidomos për ato që i përkasin etnisë aziatiko-amerikane, ato nga ishujt në Paqësor, indigjenet dhe gratë me ngjyrë.
“Këto boshllëqe duhet të korrigjohen përmes përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar qasje më të mirë në ekzaminim dhe trajtimin më kualitativ për gratë”, ka thënë ai.

Arsyet që mund të kenë ndikuar në rritjen e rasteve me kancer të gjirit tek gratë e reja
“Arsyet e rritjes se rasteve tek gratë e reja me këtë sëmundje janë të komplikuara, shumë faktorëshe dhe ende nën shqyrtim”, ka thënë doktori Christopher McGreevy, i cili nuk ishte i përfshirë në studim. Ai ka cekur se shumica e pacienteve që diagnostikohen në moshë të hershme me kancer të gjirit, janë me mbipeshë apo obeze.
“Pesha e tepërt, sidomos tek gratë që kanë kaluar menopauzën, nxit prodhimin e estrogjenit, i cili është indikator i madh i disa llojeve të kancerit të gjirit”, ka thënë ai.
Doktori ka shtuar se edhe shtatzënitë e shtyra gjithashtu mund të rrisin gjasat për këtë sëmundje, pasi që shtatzënia ul rrezikun nga kanceri i gjirit.
“Toksinat nga ambienti, duke aluduar në gjithçka që nga plastika e deri tek pesticidet, janë gjithashtu kontribuues të dyshuar. Këta ndërprerës të gjëndrës endokrine mund të emitojnë punën e estrogjenit, potencialisht duke ndikuar në rritjen anormale të qelizave”, ka thënë doktori, sipas të cilit edhe gjenetika mund të luajë rolin e saj.

Këshillat për parandalim
Sipas Giaquintos, parandalimi më i mirë është konsultimi me doktorin rreth bërjes së ekzaminimeve përkatëse.
“Diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit është një nga mjetet më të mira që kemi për ta përmirësuar mbijetesën nga kjo sëmundje. Të gjitha gratë duhet të përditësohen rreth ekzaminimeve për kancer gjiri. Kjo qëndron posaçërisht për gratë e reja, pasi që mosha e rekomandueshme për të ju nënshtruar ekzaminimeve në SHBA, ka rënë nën 40 vjeç”, ka thënë ajo.
Doktoresha ka cekur edhe se gratë duhet të dinë edhe historinë e familjes së tyre dhe faktorët rrezikues personal.
“Gratë mund të ulin vetë gjasat për diagnostikim duke mos konsumuar alkool, duke mbajtur peshë të shëndetshme trupore dhe duke qëndruar fizikisht aktive”, kanë këshilluar studiuesit.
Rreth 30 për qind e të gjitha kancereve të gjirit u atribuohen këtyre faktorëve të stilit të të jetuarit.