Gratë e diagnostikuara me diabet të tipit 2 kanë deri në pesë herë më shumë gjasa të zhvillojnë disa nga tumoret më vdekjeprurëse, ka shkruar The Guardian.
Sipas një studimi të ri personat që zhvillojnë diabet të tipit 2 janë me të rrezikuar nga disa prej kancereve më të rrezikshme, përfshirë tumoret e mëlçisë dhe pankreasit, me rritjen më të madhe të rrezikut te gratë.
Analiza e të dhënave shëndetësore nga 95,000 persona ka treguar se rreziku për kancer të pankreasit ishte pothuajse dy herë më i lartë, ndërsa mundësia për të zhvilluar kancer të mëlçisë ishte pothuajse pesë herë më e lartë te gratë e diagnostikuara së fundmi me diabet të tipit 2.
Edhe te burrat, rreziku për t’u prekur nga këto kancere u rrit. Diabeti i tipit 2 i diagnostikuar rishtazi lidhej me rritje prej 74% të rrezikut për kancer të pankreasit dhe rritje gati katërfish të rrezikut për kancer të mëlçisë në pesë vjetët e para pas diagnostikimit.
“Diabeti dhe obeziteti lidhen me të njëjtat lloje kanceri. Studimi ynë vëzhgoi efektin e diabetit në kancer, pasi u morën parasysh faktorët e obezitetit”, ka thënë Owen Tipping, student i mjekësisë që bashkëpunoi në studim me profesorin Andrew Renehan nga Universiteti i Manchesterit.
Studime të mëparshme e kanë lidhur obezitetin me 13 lloje të ndryshme kanceri, shumë prej të cilave janë më të shpeshta te njerëzit me diabet të tipit 2. Megjithatë, studiuesit kanë pasur vështirësi të përcaktojnë nëse vetë diabeti rrit rrezikun për këto kancere.
Në këtë studim, grupi i Manchesterit ka analizuar të dhënat e 23,750 personave të sapo diagnostikuar me diabet të tipit 2 dhe i ka krahasuar me më shumë se 70,000 persona të tjerë pa diabet. Për të shmangur gabimet nga diagnostikimet e hershme të kancerit, studiuesit injoruan rastet e raportuara brenda një viti nga diagnostikimi i diabetit.
Pas pesë vjetësh, rreziku për kanceret e lidhura me obezitetin ishte 48% më i lartë për burrat dhe 24% më i lartë për gratë me diabet të tipit 2, krahasuar me ata pa këtë sëmundje.
Sophia Lowes nga Cancer Research UK ka theksuar rëndësinë e këtij studimi.
“Ky studim na ndihmon të kuptojmë më mirë lidhjen midis diabetit dhe kancerit. Edhe pse mbeten shumë pyetje se si dhe pse diabeti mund të shkaktojë kancer, kërkimi i tillë është jetik për të përmirësuar parandalimin, zbulimin dhe diagnostikimin e sëmundjes”, ka thënë ajo.