Rreth një milion amerikanë pritet të përballen me demencë deri në vitin 2060, që paraqet dyfishin e numrit të sotëm, raportuan studiuesit.
Agjencia e lajmeve Associated Press ka shkruar se ky vlerësim bazohet në një studim të ri që ka zbuluar rrezik më të lartë për demencën sesa që ishte menduar më parë: Pas moshës 55 vjeçare, deri në katër nga dhjetë njerëz (40%) janë të rrezikuar nga sëmundja e demencës.
Ky është një numër shqetësues, por ka hapa që njerëzit mund të ndjekin për të ulur këtë rrezik, si kontrollimi i tensionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve të tjera që janë të dëmshme për trurin. Dhe nuk është vonë që të fillojnë të provojnë, madje edhe në moshën e mesme.
“Çdo hulumtim që kemi bërë sugjeron që ajo që bëni gjatë moshës së mesme ka rëndësi të madhe”, ka thënë doktori Josef Coresh nga NYU Langone Health, i cili është bashkë-autori i studimit të botuar në revistën Nature Medicine.
Demencë nuk është vetëm Alzheimeri
Për më shumë se një minutë vonesë për të kujtuar një emër apo vendin ku keni vendosur çelësat është normale me kalimin e moshës. Por demenca nuk është pjesë e natyrshme e pleqërisë. Ajo është humbje progresive e kujtesës, gjuhës dhe funksioneve të tjera kognitive apo aftësive njohëse.
Shtimi i moshës është faktori më i madh i rrezikut dhe popullsia është duke u plakur mjaft shpejt.
Alzheimeri është forma më e zakonshme e sëmundjeve të harresës dhe ndryshimet e heshtura të trurit që përfundojnë në të mund të fillojnë dy dekada përpara se të shfaqen simptomat.
Lloje të tjera të demencës përfshijnë demencën vaskulare, kur sëmundjet e zemrës ose goditjet e vogla ndalojnë qarkullimin e gjakut në tru.
Shumë njerëz kanë shkak të përzier, që do të thotë se problemet vaskulare mund të përkeqësojnë simptomat e Alzheimerit që po zhvillohen.
Matja e rrezikut nga një moshë e caktuar gjatë periudhës së mundshme të jetës mund të ndihmojë në udhëzimet e shëndetit publik dhe hulumtimin mjekësor.
“Nuk është e garantuar që dikush do të zhvillojë demencë”, ka paralajmëruar doktori James Galvin, një specialist i Alzheimerit nga Universiteti i Miamit, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin e ri, por ka thënë se gjetjet përputhen me studime të tjera.
Rreziku i demencës ndryshon sipas moshës
Studimet e mëparshme kishin vlerësuar që rreth 14% e burrave dhe 23% e grave do të zhvillonin një formë të demencës gjatë jetës së tyre. Ekipi i Coreshit ka analizuar të dhënat më të fundit nga një studim amerikan që ka monitoruar shëndetin e zemrës dhe funksionin kognitiv të rreth 15,000 të moshuarve për disa dekada.
Me rëndësi, ata zbuluan se rreziku ndryshon me dekadat.
Vetëm 4% e njerëzve zhvilluan demencë ndërmjet moshës 55 dhe 75 vjeç, një periudhë 20-vjeçare që Coresh e quan si një dritare kyçe për mbrojtjen e shëndetit të trurit.
Për ata që mbijetojnë pas rrezikshmërive të zakonshme shëndetësore deri në moshën 75 vjeçe, rreziku për demencë më pas u rrit për 20% deri në moshën 85 vjeç dhe 42% ndërmjet 85 dhe 95 vjeç.
“Përgjithësisht, rreziku i demencës gjatë gjithë jetës pas moshës 55 vjeç ishte 35% për burrat dhe 48% për gratë”, deklaruan studiuesit.
Coresh ka thënë se gratë zakonisht jetojnë më gjatë se burrat, dhe kjo është arsye kryesore për këtë ndryshim.
Po ashtu, afroamerikanët kishin rrezik pak më të lartë, 44%, krahasuar me 41% të të bardhëve.
Po, ka mënyra për të ulur rrezikun e demencës
Ka disa faktorë rreziku që njerëzit nuk mund t’i kontrollojnë, përfshirë moshën dhe nëse kanë trashëguar një variant gjenetik të quajtur APOE4, i cili rrit mundësinë e zhvillimit të Alzheimerit në moshë të avancuar. Por njerëzit mund të provojnë të parandalojnë ose të paktën t’i vonojnë problemet shëndetësore që kontribuojnë në zhvillimin e demencës.
Për shembull, Coresh vesh një helmetë kur del me biçikletë, pasi dëmtimet e përsëritura ose të rënda të trurit nga aksidentet apo rrëzimet rrisin rrezikun për demencë në moshë të avancuar.
“Ajo që është e mirë për zemrën është e mirë për trurin”, ka shtuar Galvin nga Miami.
Ai i inkurajon njerëzit të bëjnë ushtrime, të shmangin obezitetin dhe të kontrollojnë tensionin e gjakut, diabetin dhe kolesterolin.
Për shembull, tensioni i lartë i gjakut mund të dëmtojë qarkullimin e gjakut në tru, një rrezik jo vetëm për demencën vaskulare, por gjithashtu i lidhur me disa tipare të Alzheimerit. Po ashtu, niveli i lartë i sheqerit në gjak nga diabeti i pakontrolluar është i lidhur me rënien e aftësive njohëse dhe inflamacion të dëmshëm në tru.
Qëndroni gjithashtu aktivë socialisht dhe kognitivisht, ka thënë Galvin. Ai inkurajon njerëzit të provojnë ndihmë dëgjimi nëse humbja e dëgjimit shoqëron moshën, e cila mund të çojë në izolim social.
“Ka gjëra që mund t’i kontrollojmë dhe ato janë shumë të rëndësishme për të ndihmuar në ndërtimin e një truri më të shëndetshëm përderisa plakemi”, ka thënë ai.