Lifestyle

Dëmet nga konsumimi i tepërt i alkoolit gjatë festave të fundvitit

Konsumimi i alkooli

Këshilla për menaxhimin e konsumimit të alkoolit për ata që kanë varësi

Konsumimi i alkoolit gjatë festave të fundvitit arrin pikun. Sipas Institutit për Abuzimin e Alkoolit dhe Alkoolizmin (NIAA), gjatë pushimeve të fundvitit vihet re se rritet konsumimi i pijeve alkoolike nëpër festat që organizohen Krishtlindje dhe Vit të Ri. Mbledhja për festa zakonisht qon në konsumim të tepruar, ka shkruar psichiatry.org

Ka dallim në gjini kur bëhet fjale për konsumimin e këtyre pijeve. Studimet sugjerojnë se burrat pinë më shumë. Gratë, në anën tjetër, mund të jenë të rrezikuara më shumë nga konsumimi i pijeve alkoolike kur bëhet fjalë për shëndetin, pasi zakonisht kanë tolerancë më të ulët për këtë substancë.

Adoleshentët dhe të rinjtë janë më të ndjeshëm ndaj dëmeve që mund të shkaktojë alkooli gjatë sezonit festiv. Personat që nuk kanë shumë përvojë me këto pije, mund ta teprojnë, gjë që mund të qojë në aksidente dhe sjellje të rrezikshme. Adoleshentët gjithashtu janë të rrezikuar nga problemet që kanë të bëjnë me alkoolin, të tilla si varësia dhe dëmtimet në sistemin e aftësive njohëse.

Individët që i përkasin komunitetit LGBTQ+ kanë raportuar se kanë stres të shtuar dhe tension gjatë sezonit festiv. Konsumimi i tepruar i alkoolit mund të qojë në depresion, ankth dhe ndjenja të refuzimit për ta shprehur veten në mënyrë origjinale. Në vitin 2015, Administrata për Abuzimin e Substancave dhe Administrata e Shërbimit të Shëndetit Mendor (SAMHSA), ka gjetur se të rriturit që i përkasin komunitetit LGBTQ+ kanë 15 për qind, pothuajse të dyfishuar, normën e konsumimit të alkoolit apo drogave në vitin 2014, kur u krahasuan me të rriturit heteroseksual, që normën e kanë 8 për qind.

Konsumimi i tepërt i alkoolit është shqetësim më i madh kur bëhet fjalë për festat e fundvitit, pasi individët mund të konsumojnë sasi të shumta të tij për periudhë të shkurtër kohore. Kjo sjellje mund të qojë në helmim nga alkooli, aksidente dhe paaftësi në marrjen e vendimeve. Sasia e madhe e konsumimit të alkoolit brenda një kohe shumë të shkurtë mund të qojë në helmim të organizmit që mund të rrezikojë jetën. Në simptoma përfshihen, vjellja, frymëmarrja e ngadalësuar apo jo e rregullt, hipotermia si dhe në disa raste, koma apo edhe vdekja. Në momente të tilla është shumë e rëndësishme qasja në kujdes të duhur shëndetësor.

Këshilla si të mbahet nën kontroll konsumimi i alkoolit

Për personat që kanë varësi nga alkooli dhe ata që duan të mundohen ta lënë, mbajtja e distancës nga pijet alkooli gjatë sezonit festiv mund të jetë sfiduese por janë disa këshilla që do të mund të ndihmojnë:

Planifikimi: Të krijohet një strategji për ngjarjet festive, përfshirë ikjen nga to nëse dikush do të ndihet i stërngarkuar.

Kërkimi i mbështetjes: Të kërkohet ndihmë nga shokët e familja, të cilët mund të sigurojnë asistencë apo inkurajim.

Shmangia e rasteve për të pirë: Duhet të identifikohen situatat e individët që mund të shtyjnë dikë të konsumojë më shumë alkool.

Fokusimi në opsione pa alkool: Konsumimi i pijeve joalkoolike do të mund të ndihmojë.

Kujdesi ndaj vetes: Krijimi i prioriteteve të shëndetshme për veten si për shembull, gjumi i rregullt, ushqimi i shëndetshëm dhe menaxhimi i stresit.

Zhvillimi i strategjive përballuese: Mësimi i disa praktikave të shëndetshme për përballje me stresin, ankthin e dëshirën për të konsumuar alkool, mund të ndihmojë.