Studimi i ri ka sugjeruar se burrat që janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës mund të zhvillojnë sëmundjen e demencës një dekadë më herët sesa gratë që kanosen nga rreziku i njëjtë.
“Ndikimi i sëmundjeve kardiovaskulare në demencën e burrave një dekadë më parë sesa te gratë, nuk dihej më parë”, ka thënë autori i studimit, Paul Edison, profesor në “Imperial Collage” në Londër, ka shkruar CNN.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), sëmundjet kardiovaskulare janë ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë, duke qenë vrasësi numër 1 në SHBA, për më shumë se 100 vjet.
Sipas Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDCP), faktorët e rrezikut të sëmundjeve të zemrës janë pesha e tepërt, diabeti, tensioni i lartë i gjakut dhe yndyra e lartë në gjak, konsumimi i duhanit, konsumimi i alkoolit, mosbërja e ushtrimeve si dhe gjumi jo i rregullt.
Ndikimi i dëmshëm i rreziqeve kardiovaskulare ishte po aq i pranishëm te njerëzit që e kishin gjenin e quajtur APOE ε4, sesa tek ata që nuk e kishin.
Gjeni APOE ε4 konsiderohet të jetë faktori rrezikues më i fortë për zhvillim të sëmundjes se Alzheimerit te njerëzit mbi 65 vjeçë.
Ekspertët kanë deklaruar se të pasurit një, apo dy kopje të këtij gjeni, nuk garanton që Alzheimeri do të ndodhë, prandaj të mbajturit një stil të shëndetshëm jetese është shumë me rëndësi.
“Modifikimi i rrezikut kardiovaskular mund të parandalojë sëmundjen e Alzheimerit. Rezultatet tona sugjerojnë se kjo gjë duhet të bëhet një dekadë më parë te burrat në krahasim me gratë, të cilat mund ta kenë gjenin që konsiderohet faktor rreziku për Alzheimerin, APOE ε4”, ka thënë Edison.
“Gjetjet e studimit përkojnë me literaturën aktuale që tregon se niveli i lartë i rrezikut nga sëmundjet kardiovaskulare mund të ketë lidhshmëri me ndikim negativ te sëmundjet neurodegjenerative”, ka thënë epidemiologu Jingkai Wei, nga “Texas Health Science Center” në Houston.
Wai, i cili nuk ishe i përfshirë në këtë studim, në të kaluarën pati bërë disa analiza të ngjashme që tregonin se një dekadë e të jetuarit me rrezik për sëmundje kardiovaskulare, rezultoi me performancë të keqe në testet që matnin funksionin e aftësive njohëse te burrat dhe gratë mbi 60 vjeç.
Mbipesha rrit rrezikun
Studimi, i cili u publikua në The Jorunal of Neurology, Neurosurgery and Psichiatry, ka shikuar të dhënat e më shumë se 34 mijë burrave e grave, të moshave nga 45 deri në 82 vjeçe, marrë nga Biobanka ne Britani.
Rezultatet e studimit gjithashtu kanë treguar se mbipesha bashkë me faktorët e sëmundjeve kardiovaskulare, kishin lidhshmëri duke pasur ndikim negativ te sëmundjet neurodegjenerative, si te burrat, ashtu edhe te gratë.
Regjionet e trurit që ishin më të rrezikuara, ishin ato që janë të përfshira në dëgjim, shikim, informacion emocional dhe kujtesë, regjione këto që preken herët nga demenca apo Alzheimeri.
“Disa studime kanë treguar se disa faktorë rreziku që mund të ndodhin në moshën e mesme, si hipertensioni, yndyra e tepërt e mbipesha janë të lidhur me rrezikun nga demenca, por jo më vonë në jetë”, ka thënë Wei, duke këshilluar që njerëzit të bëjnë aktivitete fizike si dhe të trurit.
Boshllëku ndërmjet gjinive
Studimi ka gjetur se burrat rrezikoheshim me shumë nga mosha 55 deri në 74 vjeçe, kurse gratë nga mosha 65 deri në 74 vjeçe.
Wei ka thënë se kjo mund të jetë si pasojë e disa arsyeve, përfshirë faktin se burrat janë më shëndetligë në moshë të mesme sa i përket hipertensionit dhe yndyrës së lartë, të dyja faktorë rreziku për sëmundjet kardiovaskulare.
“Burrat priren më pak t’i trajtojnë problemet që kanë me shëndetin kardiovaskular, gjë që mund të ketë lidhshmëri më shëndet më të ligë të trurit”, ka thënë ai.
Ndërkohë Edison ka thënë se këtu mund të luajnë rol të rëndësishëm edhe hormonet gjinore.
"Burrat kanë nivel më të lartë të hormoneve që kanë lidhje me inflamacionin dhe priren të kenë më shumë shanse për zhvillim të mpiksjes së gjakut, gjë që mund të kontribuojë në shans më të madh për zhvillim të sëmundjes së zemrës apo edhe sulmit”, ka thënë Edison.
Ndërkohë hormoni që gjendet te gratë, që quhet estrogjen, luan rol mbrojtës tek ato, i cili ul nivelin e yndyrës së keqe në gjak.
“Efekti i estrogjenit në periudhën paramenopauzale, mund të shpjegojë faktin se pse burrat mund të ekspozohen 10 vjet më herët ndaj rrezikut të demencës”, ka thënë ndër të tjera Edison.
Ai tutje ka shpjeguar se, burrat në anën tjetër, kanë më shumë dhjamë të grumbulluar tek organet e brendshme, ndërkohë që gratë kanë më pak dhjam tek ijët, duke cekur se dhjamosja e organeve rrit shanset për sulm në zemër.
Edison ka këshilluar që burrat duhet të fillojnë të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre në përgjithësi shumë më herët sesa gratë.