Që nga sfilatat dhe krijimet që kanë bërë disenjatorët në vitin 2022 është krijuar një ide se cilët do të jenë trendët më dominues gjatë vitit 2023 sa u përket veshjeve.
Vulën për preferencat më të mëdha e dhanë edhe shumë modele që u fotografuan së fundi nëpër rrugët e qyteteve të botës e ato janë: Bella dhe Gigi Hadid, Kendall Jenner, bllogeret Tamara Kalinic dhe Caroline Daur.
Gjatë këtij viti “in” do të jenë fundet e gjatë me materiale dhe ngjyra të ndryshme. Materiali nga farmerka do të jetë më dominues. Ky lloj i fundeve u pa në koleksionet e fundit që realizuan “YSL” dhe “Ganni”, gjithashtu këtë trend mund ta gjeni edhe në “Zara”.
Nga fundet e gjatë shkojmë tek ekstremi tjetër i mini fundeve, këtë trend padyshim e riktheu marka “Miu Miu” e cila në koleksionin e fundit guxoi të eksperimentojë dhe u pëlqye shumë nga njerëzit.
Kështu gjatë vitit 2023 sa u përket fundeve do të ketë zgjedhje të shumta edhe për ata persona që pëlqejnë fundet e gjatë dhe për ata që pëlqejnë minit.
Veshjet me material transparente janë padyshim veshje që duhet t’i keni në gardërobën e juaj. Fustanet që ka realizuar “Nensi Dojaka” dhe “Dior” janë emituar edhe nga brende të tjera. Kjo teknikë e realizimit të veshjeve cilësohet si njëra nga më të vështirat pasi duhet ruajtur saktësia në prerje dhe formësim të veshjes. Këtë lloj materiali gjatë vitit 2023 do ta shohim në këmisha, fustane dhe funde.
Një kombinim elegant i përsosur është cilësuar ai që është stiluar me doreza. Jo vetëm në ditët e ftohta do të shohim vajza me doreza, por gjatë 2023-ës ato do të jenë të pranishme edhe në stinët e ngrohta. Dorezat me ngjyra dhe material të ndryshme do ta bëjnë veshjen tuaj më të veçantë.
Gjepat, gjithashtu, do të jenë shumë të pranishëm në veshje si në funde, pantallona dhe xhaketa.
Ngjyrat që do t’i shohim më së shumti në vitrinat e dyqaneve do të jenë e gjelbra, pink dhe nuancat e të vjollcës. Kurse sa u përket materialeve edhe këtë vit materiali i lëkurës do të përdoret shumë.