Studimet thonë se të folurit në gjumë janë fjali të shkurtra dhe pa sens që zgjasin një ose dy sekonda, sepse ndodhin gjatë një momenti kur truri nuk është i ndërgjegjshëm.
Çfarë është të folurit në gjumë?
Bëhet fjalë për mërmëritje ose edhe për dialog edhe pse gati pa kuptim.
Ky fenomen vihet re kryesisht te fëmijët dhe te meshkujt, por gjithsesi nuk konsiderohet problem shëndetësor.
Të folurit në gjumë ndodh edhe në fazën REM (lëvizja e shpejtë e syve) edhe në fazën jo-REM.
Kur e folura ndodh në fazën REM, fazë kur njeriu sheh ëndrra, goja dhe kordat vokale që janë jo aktive gjatë gjumit, ndizen papritur dhe fjalët që thuhen në ëndërr, thuhen me zë.
Çfarë e shkakton të folurin në gjumë?
Te të rriturit, e folura në gjumë shkaktohet kryesisht nga stresi, depresioni, problemet me pagjumësinë apo alkooli.
Te fëmijët mund të jetë tregues edhe i temperaturës.
Në shumë raste, mund të jetë edhe e trashëguar dhe mund të këtë lidhje me probleme të tjera të gjumit si apnea e gjumit, somnambulizmi, probleme me tretjen etj.
Kur duhet të kryhet vizitë mjekësore?
Nëse e folura në gjumë është shumë e shpeshtë që ju prish gjumin, duhet patjetër të konsultoheni me një mjek.
Në disa raste, e folura në gjumë mund të ndodhë për shkak të një problemi psikologjik.
Si trajtohet e folura në gjumë?
Në përgjithësi nuk bëhet fjalë për trajtim të mirëfilltë. Por gjithsesi, nëse çështja bëhet shqetësuese duhet të konsultoheni me mjek.
Si ta parandaloni?
Mos flini vonë dhe ruani një rutinë të mirë oraresh gjumi.
Mundohuni të mos stresoheni dhe të mos hani ushqime të rënda para se të flini.
Kujdes me pilulat për gjumë pasi mund të shkaktojnë probleme, në varësi të organizmit. Mos pini kafe në orët e vona. /Agroweb