“Brain fog” apo mjegulla mendore është një term që ka fituar shumë vëmendje në kohët e fundit, sidomos pas pandemisë COVID-19. Por, shkencëtarët kanë thënë se ky fenomen ka qenë i njohur edhe më parë, sidomos në komunitetet që vuajnë nga sëmundje kronike si fibromialgjia dhe sindroma e lodhjes kronike. Kjo simptomë, që përfshin humbje përqendrimi, harresë dhe ngadalësim të mendimit, mund të ndodhë për shkak të sëmundjeve të ndryshme dhe shpesh është një nga më të vështirat për t’u trajtuar, ka shkruar “National Geographic”.
Jacqueline Becker, neuropsikologe në Shkollën e Mjekësisë të Mount Sinai në New York, ka shpjeguar se “brain fog” është grup simptomash dhe jo diagnozë dhe se mund të lidhet me probleme të përqendrimit, memories dhe ngadalësisë mendore.
“Një nga pasojat më të rënda është se mund të ndikojë thellë në jetën e pacientëve”, ka thënë ajo.
Përderisa nuk ka ende një definicion të qartë shkencor për këtë fenomen, shkencëtarët po zbulojnë mundësitë për shkaqet e tij, si inflamacioni dhe dëmtimi i barrierës gjak-tru. Studimet sugjerojnë se infeksioni COVID-19 mund të shkaktojë përgjigje të tepruar të imunitetit, që vazhdon të ndikojë në tru edhe pas përfundimit të infeksionit akut. Kjo mund të çojë në inflamacion të vazhdueshëm dhe rënien e sasisë së lëndës gri dhe të bardhë në tru, gjë që kontribuon në mangësi të aftësive njohëse.
Në një studim të botuar në muajin shkurt të vitit 2024, Colin Doherty, neurolog në Trinity College Dublin, dhe ekipi i tij kanë zbuluar se pacientët me “brain fog” pas COVID-19 kishin të përçarë barrierën gjak-tru. Ata kanë sugjeruar se një barrierë e tillë mund të lejojë kalimin e substancave të dëmshme në tru, duke shkaktuar inflamacion dhe duke prishur proceset normale metabolike të trurit.
Përveç kësaj, faktorë të tjerë si ndryshimet hormonale, si ato që ndodhin gjatë menopauzës, si dhe mosfunksionimi i mikrobiomës së zorrëve, mund të kontribuojnë gjithashtu në shfaqjen e mjegullës mendore. Këto kërkime kanë hapur mundësi të reja për trajtimin dhe diagnostikimin e “brain fog”.
Për ata që ndjejnë simptoma të këtij fenomeni, specialistët kanë rekomanduar shqyrtimin e faktorëve të stilit të jetesës, si ushqimi, aktiviteti fizik dhe gjumi i mjaftueshëm. Për individët që përjetojnë mjegull mendore për një periudhë të gjatë, mund të jetë e nevojshme të konsultohen me një mjek për të hetuar shkaqet e mundshme dhe për të marrë trajtime të përshtatshme.
Shkencëtarët kanë deklaruar ende kanë shumë për të mësuar rreth “brain fog”, dhe kërkime të mëtejshme janë thelbësore për të kuptuar më mirë këtë fenomen dhe për të ofruar trajtime më efektive.