Lifestyle

Burrat hanë më shumë mish se gratë, thotë studimi

Ilustrim

Ilustrim

Psikologët e kanë ditur për vite me radhë se burrat kanë tendencë të hanë më shumë mish se gratë. 

Mirëpo tani, një studim i kryer me 28,000 njerëz nga e gjithë bota dëshmon më shumë se kurrë se kjo është e vërtetë nëpër kultura të ndryshme.

Po ashtu studimi ka gjetur se hendeku mes gjinive është më i madh në vendet më të zhvilluara, raporton AP.

Duke pasur parasysh se konsumi i mishit është një shtytës kryesor i ndryshimeve klimatike, studiuesit mendojnë se duhet shikuar mundësitë për t'i bërë mishngrënësit të kenë në konsideratë sjellje më miqësore me klimën. 

Shkencëtarët thonë se gjinia dhe prirjet për të ngrënë mish janë të lidhura. 

Një artikull i publikuar në “Nature Scientific Reports” këtë javë tregon se ndryshimi është pothuajse universal midis kulturave, dhe se është edhe më i theksuar në vendet që janë më të zhvilluara.

Studiuesit tashmë e dinin se burrat në disa vende hanin më shumë mish sesa gratë. Dhe ata e dinin se njerëzit në vendet më të pasura hanin më shumë mish në përgjithësi. Por gjetjet e fundit thonë se kur burrat dhe gratë kanë lirinë sociale dhe financiare për të bërë zgjedhje në lidhje me dietat e tyre, ata ndryshojnë nga njëri-tjetri edhe më shumë, me burrat që hanë më shumë mish dhe gratë që hanë më pak. 

Kjo është e rëndësishme sepse rreth 20% e emetimeve globale të gazeve serrë që ngrohin planetin vijnë nga produktet ushqimore me bazë shtazore, sipas një studimi të mëparshëm nga Universiteti i Illinois Urbana-Champaign. 

Studiuesit të cilët qëndrojnë pas raportit të ri mendojnë se gjetjet e tyre mund të rregullojnë përpjekjet për të bindur njerëzit që të hanë më pak mish dhe qumësht. 

Studiuesit pyetën mbi 28,000 njerëz në 23 vende, në katër kontinente, se sa lloje të ndryshme ushqimesh hanin çdo ditë, më pas llogaritën konsumin mesatar të kafshëve tokësore sipas identitetit gjinor në secilin vend. 

Ata përdorën Indeksin e Zhvillimit Njerëzor të Kombeve të Bashkuara, i cili mat shëndetin, arsimin dhe standardin e jetesës, për të renditur se sa i "zhvilluar" ishte çdo vend, dhe gjithashtu shikuan Indeksin Global të Hendekut Gjinor, një shkallë e barazisë gjinore e publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror. 

Studiuesit zbuluan se me përjashtimin e tri shteteve, Kinës, Indisë dhe Indonezisë, dallimet gjinore në konsumin e mishit ishin më të larta në vendet me rezultate më të larta zhvillimi dhe barazie gjinore. 

Studimi nuk iu përgjigj pyetjes se pse meshkujt priren të hanë më shumë mish, por shkencëtarët kanë disa teori. Njëra është se në aspektin evolucionar, gratë mund të kenë qenë të lidhura hormonalisht për të shmangur mishin që mund të ketë qenë i kontaminuar, duke ndikuar në shtatzëninë, ndërsa burrat mund të kenë kërkuar proteina mishi duke pasur parasysh historinë e tyre si gjahtarë në disa shoqëri.