Lifestyle

Bakllavaja për personat diabetikë

bakllava vjollce

Foto: Associated Press

Teksa turqit po presin të festojnë festën e Fitër Bajramit – i njohur gjithashtu si Festa e Ëmbëlsirave - ka shumë kërkesa për ëmbëlsirën e famshme tradicionale, bakllavanë. E për personat me diabet, tash ka një alternativë me më pak sheqer.

Kimisti 34-vjeçar, Omer Onder Ozdemir, ka diabet dhe i pëlqen të porosisë bakllavanë ngjyrë vjollce, për shkak të përbërësve natyralë që gjenden në të.

“Ne preferojmë bakllavanë ngjyrë vjollce, sepse është natyrale, e mirë për diabet dhe e bërë nga esenca e frutave natyrale. Kemi vite që  e zgjedhim bakllavanë ngjyrë vjollce. Është shumë më e shëndetshme”.

Pronari i furrës dhe prodhues i bakllavasë, Mehmet Yildirim, thotë se ngjyra vjollce vjen nga antocianinat (pigmente vakoulare të tretshme në ujë) , e cila gjendet në frutat dhe perimet me ngjyrë vjollce.

Këta përbërës përdoren në një përzierje të quajtur “mormix”.

“Ne e përziejmë këtë substancë të quajtur mormix, që është përzierje e esencave të frutave dhe perimeve të kuqe në miell. Kur e përziejmë në miell dhe e bëjmë brumin me këtë miell, bakllavasë i shtojmë sheqer panxhari. Si rezultat i shtimit të sheqerit të panxharit, sheqeri i bakllavasë nuk rritet. “Mormix” e balancon atë sheqer”.

Dietologia Cansu Ozdemir thotë se bakllavaja e purpurt rrit nivelet e sheqerit në gjak më ngadalë sesa ëmbëlsirat tradicionale me sheqer.

Kjo është për shkak të antioksidantëve që gjenden në përzierjet e frutave të purpurta, thotë ajo.

“Mund t’iu jepet si alternativë individëve diabetikë, por, sigurisht, vetëm nëse personi është shumë këmbëngulës për të ngrënë bakllava, por nuk duhet të teprohet”.  

Ozdemir thotë  se ende duhet të konsumohet më shumë kujdes, veçanërisht nga ata që vuajnë nga diabeti.

Teksa muzgu bie mbi Stamboll, besimtarët presin me padurim të prishin agjërimin e tyre gjatë iftarit. 
Ramazani konsiderohet nga myslimanët si një kohë e reflektimit shpirtëror, ku ata nuk hanë apo pinë nga lindja e diellit deri në perëndim të diellit.

Ajo praktikohet nga të gjithë të rriturit myslimanë që janë fizikisht të aftë për ta bërë këtë.

Fundi i muajit festohet me festën e njohur si Fitër Bajrami.