Prognozat personale për njerëzit e diagnostikuar me sëmundjen e Alzheimerit mund të jenë vetëm një klikim larg, shkruan New York Post.
Shkencëtarët në Universitetin e Amsterdamit kanë zhvilluar një lloj aplikacioni i cili është i bazuar në modelin që parashikon gjatë viteve ngecjen mendore të pacientëve me Alzheimer.
Ky aplikacion mund të iu ndihmojë pacientëve me Alzheimer të dinë se si po ecë zhvillimi i sëmundjes.
Modeli i këtij aplikacioni është i dizajnuar bazuar në detajet që u mblodhën nga afro 1 mijë pacientë me Alzheimer, sëmundje kjo që është forma më e shpeshtë e demencës.
Të dhënat përfshijnë, moshën, gjininë, testet për aftësitë njohëse të trurit, si dhe informacione nga skanimet me rezonancë magnetike dhe markerët e aktivitetit të sëmundjes që gjenden në lëngun cerebrospinal.
“Aplikacioni jep prognoza shumë të detajuara e individuale”, ka thënë Pieter va nder Veere, studiues e fizikant në Alzheimer Centre Amsterdam.
Një prototip i këtij aplikacioni po përdoret për studime shkencore. Hapi i radhës është zhvillimi i një aplikacioni që do të mund të përdoret nga anëtarët e familjes dhe profesionistët për futjen e të dhënave të pacientit.
Gjetjet, që u publikuan në gazetën Neurology, sugjerojnë se afro 5.8 milionë amerikanë kanë sëmundjen e Alzheimerit dhe mund të kenë lidhshmëri me forma të tjera të demencës, numër ky që parashikohet se do të rritet në 14 milionë deri në vitin 2060.
Shumica e këtyre pacientëve janë 65 vjeç e më të vjetër.
Pas diagnostikimit, pyetja më e shpeshtë që bëjnë pacientët është “Çfarë mund të pres tani?”, ani pse modeli i aplikacionit nuk siguron përgjigje absolute, thuhet se parashikon rrjedhën e sëmundjes për pesë vjet.
“Studimet e mëparshme tregojnë se njerëzit duan të informohen për prognozat e tyre, ani pse informacioni mund të mos jetë i saktë. Aplikacioni jonë për parashikime mund t’i plotësojë kërkesat”, ka thënë Va nder Veere.
Ndërkohë që nuk ka shërim për demencën, ilaçet mund të ndihmojnë menaxhimin e simptomave dhe të ulin progresin e sëmundjes.