Mungesa e vitaminës D po bëhet gjithnjë e më shpeshtë te shumë njerëz. Ajo është e nevojshme për trupin në përgjithësi pasi ndihmon ndërtimin e strukturës së eshtrave, forcon ato dhe ndihmon forcimin e muskujve. E njohur si vitamina e rrezeve te diellit, vitamina D është e nevojshme për organizmin dhe imunitetin në përgjithësi duke ulur rrezikun për sëmundje të ndryshme të eshtrave, të zemrës si dhe nivelet e ulëta të energjisë.
Sipas nutricistëve, vitamina D bllokohet përbrenda qelizave dhjamore gjë që do të thotë se gjaku ka më pak prezencë të saj, shkruan India.com.
Kur ka më shumë masë dhjamore, vitamina D bllokohet dhe nuk mund të depërtojë në vendet përkatëse në trup. Njerëzit me mbipeshë kanë nevojë që të marrin dy herë më shumë suplemente të kësaj vitamine në mënyrë që trupi të mos ketë mungesë.
Nutricistja Lovneeta Batra ka disa këshilla se si të rritet niveli i kësaj vitamine në trup në mënyrë të natyrshme.
Ajo ka thënë se duhet të balancohet ekspozimi në diell. Ndërkohë që është e rëndësishme mbrojtja nga rrezet e dëmshme ultra vjollcë, Batra ka thënë se ekspozimi në diell duhet të bëhet gjatë orëve të paradites dhe duke përdorur kremra mbrojtëse, të cilat mundësojnë absorbim më të mirë të vitaminës D.
Ushtrimet e rregullta janë të nevojshme në mënyrë që vitamina D të qarkullojë lirshëm në trup, duke mos lënë dhjamin të grumbullohet.
Të nevojshme janë edhe ushqimet që përmbajnë këtë vitaminë si, e verdha e vezës, peshku e ushqime të ndryshme të detit, kërpudhat e farat e susamit.
Përveç këtyre ushqimeve, në mënyrë që vitamina D të absorbohet më mirë, organizmit i duhet magnezi për shkak se ndihmon që përthithja e vitaminës D të bëhet më mirë. Ushqimet e pasura ma magnez janë bananet brokoli, fasulet, bademet e farat e kungullit.
Kur bëhet fjalë për suplemente të vitaminës D, nutricistja këshillon që të mos merren pa konsultim me mjekun përkatës.