Akullnaja Marmolada, më e madhja dhe më e shquara e Dolomitëve, mund të shkrihet plotësisht deri në vitin 2040 për shkak të rritjes së temperaturave mesatare, thonë ekspertët, raporton “The Guardian”.
Shkencëtarët italianë që po i monitorojnë akullnajat dhe ndikimin e emergjencave klimatike, kanë thënë të hënën se Marmolada po humb mes 7 dhe 10 centimetra thellësi në ditë. Shkencëtarët kanë marrë pjesë në lansimin e kampanjës nga grupi ambientalist “Legambiente” dhe komisioni ndërkombëtar për mbrojtjen e Alpeve (Cipra).
Gjatë pesë vjetëve të fundit 70 hektarë të sipërfaqes së saj – barabartë me 98 fusha të futbollit – janë zhdukur.
Efektet e ndryshimeve klimatike janë të dukshme nëpër gjithë Dolomitët, që po përjetojnë dimra shterpë me shumë pak borë.
Sipas ekspertëve, kjo, bashkë me temperaturat jashtëzakonisht të larta në rajon gjatë verës, po shkaktojnë që akullnajat të shkrihen shpejt.
Forni, një nga akullnajat më të mëdha të Italisë, është tkurrur për 800 metra brenda 30 vjetëve të fundit dhe 2 kilometra që nga shekulli i kaluar.
Në vitin 2022, shemba e një akullnaje në malin Marmolada, e cila shkaktoi një ortek akulli, bore dhe gurësh, la të vdekur 11 persona.