Lifestyle

A mund ta ndihmojnë erëzat organizmin që të jetë më i shëndetshëm?

Erëzat

Erëzat

Erëzat kanë qenë pjesë e ushqimit të njerëzve për mijëra vjet. Nga shtimi i specit djegës në ushqimet tona, te pijet me xhinxher, këto përbërës kanë qenë gjithmonë të dashura për shijen dhe kohët e fundit për përfitimet e tyre shëndetësore. Erëzat janë renditur nga përbërës të zakonshëm në "superushqime" me pretendime për përmirësimin e sistemit imunitar dhe parandalimin e sëmundjeve.

Por, BBC ka shkruar se a është e vërtetë që erëzat mund të na ndihmojnë trupin të jetë më i shëndetshëm, dhe a mund të jenë disa prej tyre të dëmshme për trupin e njeriut?

Erëzat në ushqime

Erëzat si specat djegës, turmeriku dhe piper i kuq janë bërë gjithnjë e më të popullarizuara për përfitimet e mundshme shëndetësore.

Për shembull, Hillary Clinton thuhet se ka ngrënë një spec djegës çdo ditë gjatë fushatës së saj presidenciale të vitit 2016, për të parandaluar sëmundjet. Po ashtu, turmeriku apo kurkuma është bërë një përbërës popullor në pije si “latte-ja e artë” dhe gjatë pandemisë së COVID-19, është raportuar disa herë se mund të përmirësojë sistemin imunitar dhe të mbrojë njerëzit nga sëmundjet.

Megjithatë, ndërsa popullariteti i erëzave si “superushqime” ka rritur interesin, shumë njerëz kanë dyshime nëse këto pretendime janë të mbështetura në shkencë.

BBC ka radhitur disa prej erëzave më të njohura dhe të mirat shëndetësore që ofrojnë ato.

Specat Djegës

Një nga erëzat më të studiuara është speci djegës dhe përbërësi kryesor aktiv i tyre, capsaicina, është në qendër të shumë kërkimeve. Capsaicina është ajo që i jep specave djegës djegësimën dhe kur konsumohen, ajo ndërvepron me receptorët e temperaturës në trup, duke shkaktuar ndjesinë e nxehtësisë.

Disa studime sugjerojnë se konsumimi i specave djegës mund të ketë disa përfitime shëndetësore:

Një studim italian i vitit 2019 ka gjetur se njerëzit që hanë speca djegës katër herë në javë kishin një rrezik më të ulët vdekjeje krahasuar me ata që nuk hanë ushqime të tilla.

Një tjetër studim në Kinë ( i cili u bë në vitin 2015) që ndoqi gati 500,000 të rritur, gjeti se konsumimi i specave djegës lidhej me një rrezik më të ulët vdekjeje, veçanërisht nga sëmundjet si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe ato të frymëmarrjes.

"Gjetja kryesore është se më shumë konsumimi i ushqimeve pikante çon në një rrezik më të ulët vdekjeje, veçanërisht nga vdekjet që ndodhin për shkak të kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe atyre të frymëmarrjes”, ka thënë dietologu i Harvardit, Lu Qi.

Megjithatë, këto përfitime nuk nënkuptojnë se konsumimi i sasisë së madhe të specave djegës mund të mbrojë menjëherë shëndetin e dikujt. Është e rëndësishme të dihet se këto studime janë për gjatësinë e periudhës shumëvjeçare, që do të thotë se përfitimet e mundshme vijnë me kalimin e kohës, jo në periudha të shkurtra.

Për më tepër, ndonëse specat djegës mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut nga disa sëmundje, disa studime sugjerojnë se konsumimi i tepërt mund të çojë në përkeqësim të funksionit mendor.

Një studim i vitit 2022 ka treguar se ata që konsumonin më shumë se 50g speca djegës çdo ditë kishin funksion më të dobët mendor. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se këto të dhëna vijnë nga raportimi vetjak, i cili shpesh është i pasigurt.

Turmeriku, apo kurkuma është e njohur si “Erëza e Artë”

Një tjetër erëz e popullarizuar është turmeriku, veçanërisht për shkak të përbërësit të tij aktiv, curcumin. Turmeriku përdoret për mijëra vjet në mjekësinë popullore, veçanërisht në Azinë Juglindore dhe besohet se përmban veti anti-inflamatore dhe anti-kancerogjene.

Ani pse disa studime laboratorike kanë treguar se turmeriku mund të ketë efekte anti-kancerogjene, dëshmitë për përfitimet e saj tek njerëzit janë ende të dobëta.

Ekspertët kanë theksuar se turmeriku absorbohet me shumë vështirësi nga trupi, gjë që do të thotë se është e vështirë që të ketë përfitime shëndetësore të rëndësishme nga konsumimi i tij përmes ushqimit.

Për shembull, një studim i vitit 2023 ka gjetur se suplementet e xhinxherit mund të ndihmojnë në kontrollimin e inflamacionit për njerëzit me sëmundje autoimune si lupusi dhe artriti reumatik. Por, po ashtu, këto rezultate varen nga doza të larta të erëzave, të cilat mund të mos arrihen vetëm përmes ushqimeve.

A mund erëzat të parandalojnë sëmundje?

Ndërsa disa studime sugjerojnë se specat djegës dhe turmeriku mund të ofrojnë përfitime shëndetësore, është e rëndësishme që njerëzit të krijojnë bindje më të ekuilibruara. Erëzat nuk janë ilaçe që do ta mbrojnë organizmin automatikisht nga sëmundjet. Dëshmitë për efektet e tyre shëndetësore janë të pasigurta dhe shpesh të përkohshme.

Këto erëza mund të jenë të dobishme si pjesë e një diete të shëndetshme, por ato nuk mund të zëvendësojnë një stil jetese të shëndetshëm. Nëse dikush dëshiron ta përmirësojë shëndetin , është mirë të fokusohet tek një dietë e pasur dhe e balancuar dhe ndryshime të tjera në stilin e jetesës, si aktiviteti fizik, gjumi dhe menaxhimi i stresit.

“Erëzat e bëjnë ushqimin të shijshëm dhe mund të jenë një alternativë më e shëndetshme ndaj kripës”, ka thënë Lipi Yoy, profesoreshë në NYU LangoneHealth.

Erëzat duhet të konsumohen në mënyrë të moderuar

Ani pse disa studime sugjerojnë se specat djegës dhe turmeriku mund të ofrojnë përfitime shëndetësore, ekspertët këshillojnë që duhet mbajtur një "distancë" të matur.

Ato mund të rrisin shijen e ushqimeve dhe mund të kenë përfitime shëndetësore, por nuk janë zgjidhja për të parandaluar sëmundjet apo garantuar jetëgjatësinë.

Në fund të fundit, konsumimi i moderuar është çelësi.