Lifestyle

A janë më të mbrojtur nga ftohjet personat që kanë qenë të infektuar me COVID-19?

COVID-19

Sipas një studimi të ri, personat që kanë qenë të infektuar me COVID-19 fitojnë imunitet duke ulur kështu rrezikun ndaj varianteve të tjera më të lehta të virusit. 

Kjo po cilësohet të jetë edhe çelës për krijimin e vaksinave më të gjera kundër COVID-19, raporton “Associated Press”.

“Ne mendojmë se do të ketë një shpërthim të ardhshëm të koronavirusit”, është shprehur doktori Manish Sagar, autor i studimit të botuar më 12 qershor, në revistën “Science Translational Medicine”.

“Vaksinat mund të përmirësohen nëse ne mund të riprodhojmë disa prej antitrupave që sigurohen nga infektimi”, ka shtuar ai.

Bazë e këtij studimi ishin testet PCR për COVID-19 nga më shumë se 4.900 njerëz që kërkuan kujdes mjekësor midis nëntorit të 2020-s dhe tetorit të 2021-tës. 

Pas shqyrtimit të të dhënave të pacientëve, të tilla si mosha, gjinia dhe gjendja shëndetësore e mëparshme, Sagar bëri të ditur se ai dhe kolegët e tij dolën në përfundimin se personat që kanë qenë të infektuar me COVID-19 më parë kanë shans dyfish më të ulët që të kenë ftohje të zakonshme simptomatike të shkaktuar nga koronavirusi, në krahasim me personat që, në atë kohë, ishin të vaksinuar por nuk ishin të prekur nga COVID-19. 

Disa viruse shkaktojnë ftohje dhe koronavirusi mendohet të jetë përgjegjës për rreth 1 në 5 ftohje te pacientët.

Studiuesit e lidhën mbrojtjen kundër ftohjeve të shkaktuara nga koronavirusi me dy proteina specifike, të cilat ndihmojnë në vrasjen e qelizave të dëmshme. Këto proteina nuk përdoren në shumicën e vaksinave tani, por studiuesit propozojnë shtimin e tyre në të ardhmen.

“Bazuar në studimet tona këto mund të jenë strategji të reja për vaksina më të mira që do të trajtojnë jo vetëm variantet aktuale të koronavirusit, por çdo variant tjetër të ardhshëm që mund të shfaqet”, ka deklaruar Sagar. 

Doktori Wesley Long, patolog në “Houston Methodist” në Teksas, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, ka thënë se gjetjet nuk duhet të shihen si goditje kundër vaksinave aktuale, të cilat synojnë të mbrojnë trupin nga virusi që shkakton COVID-19.

“Këto vaksina janë ende mbrojtja juaj më e mirë kundër infektimit me COVID-19, shtrimit në spital dhe vdekjes”, është shprehur ai.