Lifestyle

A funksionojnë vërtet probiotikët për lëkurën?

Trajtimi i lekures me prebiotik

Trajtimi i lekurës

Mikrobioma e lëkurës ndihmon në mbrojtjen dhe shëndetin e saj. Shkencëtarët kanë zbuluar se një ekuilibër i shëndetshëm i baktereve të mira ndihmon në parandalimin e infeksioneve, shërimin e plagëve dhe mbrojtjen ndaj rrezeve ultra vjollcë (UV). Për ta mbështetur këtë ekuilibër, një metodë në rritje është përdorimi i probiotikëve topikë – mikroorganizma të gjallë të aplikuar direkt në lëkurë, ka shkruar BBC.

Sa efektivë janë probiotikët?

Edhe pse shumë kompani që krijojnë produkte kozmetike pretendojnë se përmbajnë probiotikë, shumica nuk kanë baktere të gjalla. Sipas dermatologut Richard Gallo nga Universiteti i Kalifornisë, “rregullat për produktet e kujdesit të lëkurës janë më të lehta se ato për ilaçet, ndaj pretendimet nuk janë gjithmonë të mbështetura nga testime rigoroze”. Në vend të probiotikëve, këto produkte shpesh përmbajnë prebiotikë ose postbiotikë.

Bernhard Paetzold, shkencëtar në kompaninë “S-Biomedic”, ka shpjeguar se “bakteret e gjalla janë shumë të vështira për t’u ruajtur në produkte kozmetike dhe për të konkurruar me mikroorganizmat e tjerë të lëkurës”.

A ndihmojnë probiotikët në trajtimin e sëmundjeve të lëkurës?

Studime të caktuara kanë treguar se probiotikët mund të ndihmojnë në trajtimin e ekzemës dhe akneve.

Ekzema: Studimet kanë treguar se lëkura e pacientëve me ekzema ka nivele të larta të baktereve të dëmshme si “staphylococcus aureus”. Përdorimi i “staphylococcus hominis” ka treguar ulje të inflamacionit dhe përmirësim të simptomave.

Aknet lidhen me “cutibacterium acnes”. Disa studime kanë testuar baktere të tjera që mund të ndihmojnë në balancimin e këtij mikrobi dhe uljen e inflamacionit.

A mund të mbrojnë probiotikët lëkurën nga dielli?

Disa hulumtime, që janë bërë në minj, kanë sugjeruar se “staphylococcus epidermidis” mund të reduktojë rrezikun e kancerit të lëkurës duke penguar sintezën e ADN-së në qelizat e dëmtuara nga rrezet UV. Megjithatë, nevojiten më shumë studime për të konfirmuar këtë efekt te njerëzit.

A vlejnë probiotikët për kujdesin e përditshëm të lëkurës?

Deri tani, ka pak prova që produktet probiotike përmirësojnë shëndetin e lëkurës. 
Sipas Gallos, “shumë nga këto produkte nuk kanë prova të forta shkencore, ndaj nuk janë domosdoshmërish të dobishme”.

Ai ka rekomanduar një rutinë të thjeshtë: hidratim, mbrojtje nga dielli dhe pastrim i butë.