Kuriozitet

Zbulohet një asteroid që ka shanse të përplaset në Tokë më 2032

asteroid

Një asteroid 100 metra i gjerë ka nxitur nisjen e procedurave globale të mbrojtjes planetare për herë të parë pasi vëzhguesit zbuluan se ka shans që ai të përplaset në Tokë në vitin 2032.

Asteroidi 2024 YR4 u vërejt me teleskop në Kili më 27 dhjetor vitin e kaluar, por që nga atëherë është ngritur në krye të listës të atyre që mund të kenë ndikim të rrezikshëm.

Bazuar në llogaritjet e deritanishme, asteroidi ka 1.3% shans të përplaset në Tokë më 22 dhjetor 2032, raportoi The Guardian. 

“Me shumë gjasë ky do të kalojë pa dëme”, ka thënë Colin Snodgrass, profesor në Universitetin e Edinburghut. “Vetëm meriton më shumë vëmendje me teleskopë deri ta konfirmojmë këtë. Sa më gjatë e ndjekim orbitën e tij, aq më të sakta bëhen parashikimet tona për trajektoren e saj”.

Asteroidi renditet si i treti sipas metodës Torino për shkallën e rrezikut, duke treguar një afrim të tij që meriton vëmendjen e astronomëve pasi ekziston një shans 1% ose më të madh për përplasje në dekadën e ardhshme që do të shkaktonte “shkatërrim të lokalizuar”. Shkalla e Torinos varion nga zeroja, kur nuk ka rrezik, deri në 10 kur një përplasje është e sigurt dhe përbën kërcënim për të ardhmen e qytetërimit.