Kuriozitet

Studiuesit përpiqen të zgjidhin misterin e maceve hajdute

mace

Studiuesit po mundohen të zbulojnë se pse macet vjedhin gjësende, si çorape, dhe i lëshojnë gjetkë.

Nuk është e pazakontë për macet të sjellin minj apo zogj të ngordhur, por sjellja e gjësendeve të ndryshme është e vështirë të shpjegohet.

“Nuk jemi të sigurt pse macet sillen kështu”, ka thënë Auke-Florian Hiemstra, biolog në qendrën “Naturalis Biodiversity”. “Kudo në botë ka mace dhe qen që e bëjnë këtë, por ende nuk është studiuar”.

Hiemstra thotë se dëshiron ta dijë saktësisht se pse kafshët e bëjnë një gjë të tillë.

Ai dhe Claudia Vinke, po ashtu biologe, kanë thënë se kafshët mund të kërkojnë vëmendje ose duan të luajnë.

Macja ka stomak të vogël dhe priret ta sjellë prenë në territorin e vet për t’u ushqyer kur të jetë e uritur. Instinkti i njëjtë mund ta çojë atë të marrë gjësende nga vende të tjera dhe t’i sjellë në shtëpi ku reagimi që merr inkurajon zakonin.

“Kur i kushtoni vëmendje maces, ju e përforconi sjelljen e saj”, ka thënë Vinke.

Dennis Turner, anëtar i Universitetit të Cyrihut, beson se vëmendja është çelësi, por shton se macet tërhiqen nga gjësende plastike ose prej leshi sepse përmbajnë lanolinë. Për ta thyer zakonin, ai rekomandon që të largoheni nga dhoma në qetësi kur macja tërheq diçka brenda dhe ta gjuani atë kur macja të jetë larguar.

Daniel Mills, profesor në Universitetin e Lincolnit, ka thënë se macet veprojnë në këtë mënyrë thjesht për faktin se kjo është mënyra si vepron truri i tyre, por jo se ato gjësende që sjellin në shtëpi “i mendojnë si dhurata”.

“Kur bëhet fjalë për macet, zakonisht shpjegimi është se ato e bëjnë një gjë të tillë për veten e tyre”, ka thënë Jemma Forman, studiuese në Universitetin e Sussexit.