Një nga eksperimentet më të guximshme të shkencës moderne është bërë realitet: ujku i lashtë, i njohur si “dire wolf”, është rikthyer në jetë për herë të parë pas më shumë se 12 mijë vjet që kur u zhduk nga faqja e dheut, ka raportuar “The Telegraph”.

Kompania bioteknologjike amerikane “Colossal Biosciences” ka njoftuar se ka sjellë në jetë tre këlyshë ujqish, përmes një procesi që e cilëson si rikthim të një specieje të zhdukur. Ata janë emërtuar Romuli, Remi dhe Khaleesi – emra që lidhen me mitologjinë romake e edhe me serialin e njohur “Game of Thrones”, që bëri të famshëm këtë lloj ujku të bardhë.
Pamje të publikuara tregojnë këlyshët duke u hedhur në borë, në një rezervat sekret në SHBA. Të vegjlit, që peshonin rreth 36 kilogramë në lindje, pritet të arrijnë deri në 140 kg, duke i bërë ata ndër qentë më të mëdhenj në planet.
VIDEO:

“Ky është një version ‘fantastiko-shkencor’ që bëhet realitet”, ka thënë shkencëtarja Darya Tourzani për mediat amerikane.
“Nuk mund ta besoja që po mbaja në duar një ujk që nuk ka ekzistuar për 12 mijë vjet”, shtoi Matt James nga Colossal, pasi ndihmoi në lindjen e njërit prej këlyshëve.
Si u rikrijua ujku i bardhë?
Shkencëtarët kanë përdorur ADN të nxjerrë nga një kafkë 72 mijë vjeçare në Idaho dhe një dhëmb 13 mijë vjeçar në Ohio. Edhe pse e dëmtuar nga koha, gjenomi u rindërtua pjesë-pjesë.
“ADN-ja ishte shumë e vështirë për t’u ruajtur sepse këta ujq nuk jetonin në klimë të ftohtë”, ka shpjeguar doktori Beth Shapiro për “Bloomberg”.

Duke përdorur qeliza të ujkut të zakonshëm ngjyrë hiri, ata kanë kryer 20 ndryshime gjenetike për të rikrijuar tiparet e ujkut të lashtë: madhësinë, muskujt dhe gëzofin e bardhë. Këto qeliza u implantuan në vezët e qenve shtëpiake dhe më pas në mitrat e qenve surrogat. Të gjithë këlyshët lindën me prerje cezariane.
Këta ujq janë 20-25% më të mëdhenj se të afërmit e tyre më të afërt, ujqit gri, dhe ushqehen me mish viçi, dreri, kali si dhe ushqim të posaçëm për kafshë mishngrënëse.
“Colossal” ka edhe plane më ambicioze: po punon për rikthimin e mamuthit leshator dhe tigrave të Tasmanisë, ndërsa tashmë ka krijuar edhe “miun mamuth”, një krijesë hibride me gëzof të trashë e metabolizëm të përshpejtuar.
Në vitin 2022, kompania kishte bërë bujë kur shpalli objektivin për të “ringjallur” mamuthin.
Sot, me suksesin e ujqërve të lashtë, duket se e ardhmja e shkencës është më afër fantastikes se kurrë më parë.
LEXO EDHE: