Një copë dërrase, që deri më tani është njohur si “dera” që e shpëtoi personazhin Rose nga mbytja, në filmin e mirënjohur “Titanic”, është shitur në ankand për 718 mijë e 750 dollarë.
Shitja u bë në një ankand të disa gjërave e kostumeve që ishin në pronësi të “Planet Hollywood”, kompani kjo që ka në pronësi një zinxhir restorantesh e resortesh, raporton BBC.
Sipas “Heritage Auction”, copa e dërrasës që shumë shpesh u ngatërrua me derë, është pjesë autentike e shpëtimit që kishte ndodhur në tragjedinë e vitit 1912, pasi “Titanicu” u përmbys.
Që nga viti 1997 kur ishte lansuar filmi “Titanic”, adhuruesit ishin gjithnjë kureshtarë të dinin se a do ta kishte zënë edhe personazhin Jack kjo copë druri, në mënyrë që t’i shpëtonte vdekjes nga ngrirja.
Në vitin 2012, regjisori i këtij filmi, James Cameron, ka treguar se çdo ditë merr me mijëra emaila në të cilat Rose quhet “vetjake”, kurse Jack një “idiot” për shkak të kësaj skene.
Por ai i dha fund debatit duke thënë se Jack duhej të vdiste sepse kështu ishte skenari.
Kurse kur bëhet fjalë për debatin se a do t’i kishte zënë të dy kjo copë dërrase, “Heritage Auction” ka deklaruar se “copa e dërrasës ka dimensione prej 2.4 me 1 metër”.
