Kuriozitet

Peshku ton, i madhësisë së një motoçiklete, shitet për 1.3 milion dollarë në ankand

Peshku ton i shitur per 1.3 milione dollare

Foto: Associated Press

Një peshk ton, i madhësisë së një motoçiklete, është shitur në një ankand tradicional vjetor në Tokio të Japonisë për 1.3 milion dollarë, raporton agjencia “AFP”. 

Është çmimi i dytë më i lartë i paguar ndonjëherë për një peshk në ankandin që mbahet në tregun e peshkut.

Pronarët e restoranteve sushi, Onodera Group, kanë paguar të dielën 207 milionë yen (rreth 1.3 milionë dollarë) për peshkun ton 276 kilogramësh. 

Ky grup ka paguar çmimin më të lartë në këtë ankand tradicional për pesë vjet rresht. 

“Peshku ton i parë është diçka që nënkupton sjelljen e fatit të mirë. Urimi ynë është që njerëzit ta hanë këtë dhe të kenë një vit të mrekullueshëm”, ka thënë zyrtari i Onodera Grupi, Shinji Nagao. 

Onodera Group ka restorante sushi me famë botërore, me yje Michelin. 

Çmimi më i lartë i paguar në ankand ishte 333.6 milionë yen, për 278 kilogramë ton në vitin 2019.