Kuriozitet

Peshkatari peruan shpëtohet pasi kishte mbetur i bllokuar në det për tre muaj

Peshkatari peruan Maximo Napa

Një peshkatar peruan u shpëtua pasi kishte mbetur i bllokuar në det për 94 ditë. Autoritetet peruane kanë bërë të ditur të shtunën se peshkatari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është liruar nga spitali, transmeton “The Guardian”. 

Maximo Napa 61-vjeçar, kishte mbetur i ngujuar në det me varkën e tij të vogël të peshkimit. Ai u pikas të martën nga një anije ekuadoriane në brigjet e Chimbotes në veri të Perusë. 

Ai tha në një intervistë për mediat lokale se kishte mbijetuar duke ngrënë ndër të tjera insekte, zogj dhe po ashtu breshka. 

“Nuk doja të vdisja. Doja të jetoja për nënën time kryesisht. Çdo ditë e mendoja atë. Kam edhe një mbesë dymuajshe dhe kisha mendjen te ajo”, tha Napa. 

Të shtunën Napa u lirua nga spitali në qytetin Paita. 

Peshkatari ishte nisur më 7 dhjetor nga porti i San Juan de Marcona. Por, kushte e këqija atmosferike dhe rrymat detare e bënë që ai të humbiste në det. 

Varka e tij e vogël përfundoi në det të hapur. 

“Është mrekulli që babai im është gjetur”, tha vajza e tij Ines Napa. “Ne si familje, kurrë nuk humbëm shpresat”.