Një tetëvjeçar është gjetur shëndosh e mirë pasi mbijetoi për pesë ditë në një park i rrethuar me luanë e elefantë, në Zimbabvenë veriore, sipas një deputeteje të Parlamentit.
Gjithçka nisi kur Tinotenda Pudu eci 23 kilometra larg shtëpisë për të shkuar në parkun e rrezikshëm “Matusadona Game Park”, sipas deputetes Mutsa Murombedzi në X.
“Ai i kaloi pesë ditë duke fjetur në shkëmbinj, mes luanëve e elefantëve, dhe duke ngrënë fruta të egër”, ka thënë ajo.
Ky park ka rreth 40 luanë. Në një kohë ishte një prej vendeve me më së shumti luanë në të gjithë Afrikën, shkruan BBC.
Murombedzi ka thënë se djaloshi kishte njohuri për kushtet dhe dinte si të mbijetonte.
Tinotenda mbijetoi duke pirë ujë nga shtretërit e lumenjve.
Komuniteti lokal kishte nisur kërkimin përmes daulleve për ta gjetur djaloshin, por në fund ishin rojet ata që e arritën qëllimin.
Në ditën e pestë në park, Tinotenda dëgjoi një veturë duke e ndjekur deri sa arriti t’u dilte përpara rojeve.
Parku ka hapësirë mbi 1470 kilometra katrorë. Është shtëpi edhe e shumë zebrave, hipopotameve, luanëve e antilopave.