Kuriozitet

Përdorimi i dronëve për t’i studiuar kuajt e egër të rrezikuar

kuajt

Shkencëtarët në Hungrai janë duke i përdorur dronët për të studiuar shoqërinë komplekse të kuajve të egër. Ata i ndjekin lëvizjet e secilit individ, prej 300 individëve të tufës të rrezikuara të kuajve Przewalski që jetojnë në fusha, larg prej ndërveprimeve me njerëz.

Më herët kanë qenë të zhdukur në natyrë. Megjithatë, duke iu falënderuar programeve të shumimit, tani ka rreth 2000 kuaj të llojit Przewalski që enden të lirë përsëri.

Një tufë prej 278 kuajsh jeton në Parkun Kombëtar Hortobágy në Hungari. 

Studiuesit nga Universiteti Eötvös Loránd dhe ai i Debrecenit janë duke përdorur ajrin për t’i kuptuar më mirë sistemet sociale të këtyre kafshëve.

Ata po përdorin dy lloje të dronëve: njëri që fluturon mbi tufat dhe tjetri që u afrohet, në mënyrë që t’i identifikojnë kafshët individualisht.

“Studimi shkencor i kuajve Przewalski është shumë interesant. Ata kanë një hierarki, e tërë tufa lëviz së bashku dhe brenda tufave ka grupe, e brenda grupeve ka lidhje familjare dhe pastaj individë. Dhe ne kemi dashur ta kuptojmë sistemin”, ka theksuar Máté Nagy, studiues nga Universiteti Eötvös Loránd.

Studiuesit thonë se disa minuta të incizimeve nga ajri mund të ofrojnë informacione të mjaftueshme për të mësuar për strukturën sociale dhe për të dalë në përfundime për të kaluarën dhe të ardhmen e dinamikës së grupit.

Me ndihmën e pamjeve të marra nga ajri, ata kanë qenë në gjendje të gjejnë se kuajt e egër jetojnë në shoqëri komplekse dhe me shumë segmente. 

Edhe pse më herët grupet e caktuara të kuajve kanë qëndruar në territoret e tyre dhe kanë ndërvepruar rrallë. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, grupet janë mbledhur së bashku për ta krijuar një tufë më të madhe, duke lëvizur së bashku përgjatë territorit.

Studiuesit kanë zbuluar se individët e grupit i koordinojnë lëvizjet e tyre dhe merren vesh përmes ndërveprimeve delikate.

Struktura sociale me disa nivele e treguar nga këta kuaj të egër është e rrallë në botën e kafshëve.
Analiza ka treguar se marrëdhëniet shoqërore të kuajve të egër janë të lidhura me farefisninë dhe njohjet e mëparshme.

“Ne veç e kemi ditur se kuajt Przewalski jetojnë në tuga me grupe dhe se këto grupe sinkronizojnë sjelljet e tyre. Por nuk e kemi ditur se shoqëria e tyre është kaq komplekse”, ka thënë Katalin Ozogány, studiuese nga Universiteti i Debrecen.

Në natyrë, kali Przewalski në vitin 2008 është kthyer nga "shumë i rrezikuar", në "të zhdukur". Tre vjet më vonë statusi i tyre është ndryshuar sërish në "të rrezikuar".

Lista e Kuqe e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) akoma e kategorizon specien si “të rrezikuar”.

Pavarësisht suksesit të programit të shumimit, mungesa e varietetit gjenetik në këtë kalë të vogël e të shpërndarë, do të thotë se ata janë akoma të cenueshëm.