Kuriozitet

Një burrë në Kinë kapet me 100 gjarpërinj të gjallë poshtë pantallonave

Kinë

Një burrë u kap duke u përpjekur të kontrabandonte më shumë se 100 gjarpërinj të gjallë në Kinën kontinentale duke i futur në pantallona, sipas autoritetit doganor të vendit, shkruan CNN.

Oficerët doganorë në qytetin jugor kinez të Shenzhenit kapën burrin në Portin Futian, një pikë kontrolli midis Hong Kongut dhe Kinës kontinentale.

Gjatë inspektimit, oficerët gjetën gjashtë çanta të vogla në pantallonat e tij.

“Oficerët hapën çantat dhe zbuluan se secila përmbante një qese e cila kishte një numër gjarpërinjsh të gjallë në forma dhe ngjyra të ndryshme. Pas numërimit, u gjetën gjithsej 104 gjarpërinj”, ka njoftuar autoriteti doganor.

Më vonë u identifikuan pesë lloje gjarpërinjsh. Asnjë nga speciet nuk ishte helmuese. Në deklaratë thuhet se incidenti ka ndodhur “disa ditë më parë”, por nuk specifikohet se kur.

Agjencia doganore nuk ka treguar nëse personi u arrestua, por paralajmëroi se “nëse shkelen rregullat, dogana do të kërkojë përgjegjësi ligjore në përputhje me ligjin”.