Shkencëtarët kanë zbuluar se në majë të vullkaneve në planetin Mars ka tonelata uji të ngrirë, duke i rritur shpresat se jetesa atje është gjithherë e më e mundshme.
Në një artikull të publikuar nga “Livescience” thuhet se rajoni Tharsis në planetin e kuq përbëhet deri në 150.000 tonë ujë të ngrirë, aq sa do t'i mbushnin 60 pishina olimpike. Vullkani “Tharsis Montes” në Mars është në grupin e vullkaneve më të mëdha.
“Ne menduam se ishte e pamundur që ngrica të formohej rreth ekuatorit të Marsit, pasi prezenca e rrezeve të diellit dhe e atmosferës së hollë i mban temperaturat gjatë ditës relativisht të larta, si në sipërfaqe ashtu edhe në majë të malit, ndryshe nga ajo që shohim në Tokë, ku mund të shihni majat e ngrira”, ka thënë autori i studimit, Adomas Valantinas, e ky studim është botuar edhe në revistën prestigjioze për artikuj shkencorë, “Nature Geoscience”.
Ky zbulim mund të jetë vendimtar për vërtetimin e faktit se në Mars ka ujë të mjaftueshëm sa për të ndihmuar në misionet e ardhshme eksploruese.
Valantinas do të vazhdojë të eksplorimin e mjedisit marsian, veçanërisht të zonave të thella ku mund të ketë jetesë të mikroorganizmave.
Shkencëtarët e NASA-s kanë thënë kohë më parë se Marsi do të jetë planeti më i eksploruar, me qëllim të gjetjes së elementeve që mundësojnë jetën e organizmave të gjalla.
Në këtë mision janë angazhuar edhe ekipe private shkencëtarësh, si ai i Elon Muskut, nën kompaninë SpaceX.