Kuriozitet

Në Britani regjistrohet numri më i ulët i fluturave

Flutura

Foto: Ilustrim

Skema vjetore e monitorimit të fluturave (UKBMS) paraqet rezultate të ndryshme për numrin e llojeve të ndryshme të tyre në Britani. Sipas organizatës bamirëse “Butterfly Conservation”, numri i disa llojeve të fluturave është rritur, ndërsa i disa të tjerave vazhdon të jenë në rënie.

“The Chequered Skipper”, “the Brimstone”, “the Large Blue” dhe “Red Admiral”  kanë të gjitha diçka të përbashkët -  për këto lloje fluturash ka qenë një vit shumë i mirë.

Sipas skemës vjetore të monitorimit të fluturave (UKBMS), 2023-a ishte viti i tyre më i mirë që nga fillimi i regjistrimit në vitin 1976.

Për sa i përket arsyes se pse ka qenë një vit i mirë për këto specie, është e vështirë të përcaktohet me saktësi.

“Arsyet mund të jenë të ndryshme. Nuk ka asgjë të qartë për të thënë. Mirëpo me sa mund të kuptojmë, arsyeja kryesore mund të jetë ndryshimi i motit sepse, siç e dimë,  korriku ishte shumë i nxehtë e me gjasë ka pasur shumë lagështi në muajin maj, apo diçka e tillë. Janë një sërë veprimesh komplekse që mund të ndodhin, por që ne nuk i kuptojmë plotësisht”, ka thënë Richard Fox, shefi i Shkencës në Ruajtjen e Fluturave.

Megjithatë, ka disa lloje fluturash që nuk janë shtuar. 

“Dy lloje tjera fluturash përjetuan vitin më të keq ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar, gjatë 2023-s. Ato janë gjithashtu shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Njëra është një flutur e zakonshme që fluturon në kopshte, shumë e dashur dhe shumë e njohur e quajtur ‘Small Tortoiseshell’. Në fakt, ajo ka pasur një ecuri të tmerrshme prej vitesh dhe megjithëse gjendet ende mjaft gjerësisht në të gjithë Britaninë, numri i tyre ka rënë me mbi 80% që nga vitet ‘70. Pra, është një flutur shumë, shumë më e rrallë sesa ka qenë. Flutura tjetër që rezultoi shumë keq vitin e kaluar është një specie e quajtur “Small Pearl-bordered Fritillary”.  Kjo nuk është një flutur kopshti. Është një flutur që ushqehet me manushaqe dhe gjendet në disa pjesë më të egra të natyrës, rreth brigjeve ose në male dhe vende të tilla”, ka shtuar ai.

Sipas UKBMS-së, këto flutura regjistruan numrin e tyre më të ulët në 48 vjetët e monitorimit.

Ndryshimet klimatike dhe faktorët e tjerë mjedisorë janë disa nga sfidat me të cilat përballen insektet, përfshirë fluturat.