Një studim i ri nga Universiteti Cornell në New York ka zbuluar se ndjenja e nuhatjes luan një rol vendimtar në vendimmarrjen e grave për miqësitë e reja.
Studiuesit kanë zbuluar se gratë mund të parashikojnë nëse do krijojnë një lidhje të mirë miqësie me një grua tjetër vetëm përmes erës që ajo lëshon, madje para se të flasin me të. Në eksperimentin e quajtur “speed-friending”, pjesëmarrëset u ftuan fillimisht të vlerësonin aromën e njëra-tjetrës pa kontakt vizual apo verbal. Më pas, ato u takuan për një bisedë katërminutëshe, ka raportuar FemaleFirst.
Rezultatet ishin befasuese: përshtypjet që gratë krijuan bazuar vetëm në aromë përputheshin me ato që krijuan pas takimit ballë për ballë. Me fjalë të tjera, “nuhatja” ishte një parashikues i saktë i simpatisë së ndërsjellë.
“Kur takohesh me dikë për herë të parë, truri përpunon shumë informacione, por aroma është njëra prej tyre, edhe nëse nuk je plotësisht i vetëdijshëm për këtë”, ka shpjeguar profesoresha Vivian Zayas, bashkautore e studimit.
Ky zbulim shtron pyetje të reja interesante për mënyrën se si krijohen lidhjet mes njerëzve dhe si rolet biologjike, që zakonisht i lidhim me dashurinë apo tërheqjen seksuale, ndikojnë edhe në miqësitë platonike.