Kuriozitet

Kinezi bleu pa dashje 4 libra me sekrete ushtarake për më pak se 1 dollar

Ushtria kineze

Foto: Associated Press

Një adhurues i historisë ushtarake të Kinës ka bërë një zbulim alarmues, pasi mori katër libra të hedhura në një stacion riciklimi në lagjen e tij për më pak se 1 dollar. Ato libra ishin dokumente sekrete ushtarake, raporton agjencia “AP”. 

Ministria e Sigurisë Kombëtare e Kinës ka treguar storien në një postim në rrjete sociale të enjten, duke e lavdëruar pensionistin që telefonoi menjëherë për ta raportuar incidentin. Pensionisti u identifikua vetëm me mbiemrin, Zhang, dhe nuk u tregua se për çfarë dokumente bëhet fjalë. 

“Z. Zhang mendoi se kishte ‘blerë’ sekretet ushtarake të vendit dhe i kishte sjellë në shtëpi. Por, nëse dikush me qëllime të fshehta do t’i blinte ato, do të kishte pasoja të paimagjinueshme”, thuhet në postim. 

Postimi, që u postua në të paktën dy faqe të njohura të lajmeve në Kinë, ishte i fundit në një seri të postimeve nga Ministria e Sigurisë Kombëtare e Kinës, që po përpiqet ta tërheqë audiencën me histori dramatike.  Disa janë treguar në stilin e librave komikë.

Fushata duket se është krijuar për ta rritur vetëdijesimin për rëndësinë e sigurisë kombëtare në kohën kur tensionet me SHBA-në po rriten. 

Postimi shkruan se Zhang, një ish-punonjës i një kompanie shtetërore pëlqen të mbledhë gazeta ushtarake dhe revista periodike. Tregon se si ai gjeti dy çanta me libra të rinj në stacion riciklimi dhe pagoi 6 yuanë (më pak se 1 dollar) për katër libra. 

Agjentët e sigurisë kombëtare nxituan në stacion pasi Zhang kishte raportuar se çfarë kishte ndodhur, thuhet në postim. Pas një hetimi, ata zbuluan se dy punonjës ushtarakë të angazhuar për copëtimin e më shumë se 200 librave në vend se ta bënin këtë, vendosën t’i shisnin ato në një qendër riciklimi si mbetje letre – gjithsej 30 kilogramë – për rreth 20 yuanë (2.75 dollarë). 

Agjentët sekuestruan librat dhe ushtria po merret me çështjen. 

Organet e sigurisë së Kinës dhe po ashtu sistemi ligjor kinez shpesh e bëjnë të vështirë të përcaktohet se çfarë konsiderohet sekret shtetëror. 

Konsulencat kineze dhe ato të huaja që operojnë brenda vendit janë duke u hetuar për posedim apo shkëmbim të informatave rreth ekonomisë, në atë që duket se është zgjerim i dukshëm i përkufizimit të sekretit shtetëror në Kinë.