Shteti Assam i Indisë ka lansuar një aplikacion për telefona celularë që ka për synim t’i reduktojë vdekjet të shkaktuara nga elefantët, raporton “BBC”.
Aplikacioni “haati” do të paralajmërojë njerëzit se një tufë e elefantëve po afrohet dhe do t’u japë mundësi që ta evitojnë.
Assam është vendi me numrin më të madh të elefantëve në Indi dhe ka edhe numër të lartë të vdekjeve të njerëzve si pasojë e shtypjes nga elefantët.
Po thuhet se elefantët po bëhen më agresivë në Assam pasi habitatet e tyre po zvogëlohen.
Si pasojë e shtypjeve nga elefantët, 1701 persona kanë humbur jetën në Indi nga viti 2020 deri më 2024, sipas shifrave zyrtare të cituara nga “Hindustan Times” në mars.
Aplikacioni i lansuar në Assam është krijuar nga Aaranyak, një organizatë e biodiversitetit në verilindje të Indisë.
Po ashtu përmban një formë që u mundëson viktimave dhe familjarëve të tyre të kërkojnë kompensim nga qeveria lokale në rastet e lëndimeve apo vdekjeve si pasojë e një sulmi nga kafshët.