Sheila Fox, e cila u raportua e zhdukur në Coventry në vitin 1972, është gjetur pas 52 vjetësh shëndosh e mirë, ka njoftuar policia britanike.
Gruaja britanike ishte 16-vjeçe kur u zhduk në qytetin e Anglisë qendrore më shumë se gjysmë shekulli më parë, raportoi të enjten “Euronews”.
Në atë kohë, Policia e West Midlands tha se ajo ka jetuar me prindërit e saj. Ajo besohej se mund të ishte në lidhje me një burrë, gjë që ka bërë që të largohej nga rajoni.
Pas publikimit të një fotografie të Foxit në rrjetet sociale, ku u bë përpjekje për gjetjen e saj, nuk kaluan shumë orë dhe u arrit të merren informacione për të, kanë njoftuar autoritetet.
“Jemi absolutisht të kënaqur që e kemi gjetur Sheilan pas më shumë se pesë dekadash. Kërkuam çdo provë që mundëm ta gjenim dhe arritëm ta gjejmë një fotografi të saj. Çdo person i zhdukur ka një histori dhe familjet e miqtë e tyre meritojnë të dinë se çfarë ka ndodhur me ta e edhe të ribashkohen”, ka thënë detektivja Jenna Shaw nga Ekipi i Hetimit në Policinë e West Midlands.