Kuriozitet

Gjenden eshtra të kuajve 2000 vjet të vjetër në Francë

eshtra

Arkeologët francezë kanë zbuluar nëntë varre të mëdha që përmbajnë eshtrat e kuajve deri në 2000 vjet të vjetër, gjetja që u konsiderua si “e jashtëzakonshme”, shkruan The Guardian.

28 kuaj, të gjithë rreth gjashtë vjeç, u varrosën menjëherë pasi vdiqën, sipas gjetjeve.

Ekspertët nga Instituti Kombëtar i Francës për Kërkimet Arkeologjike Parandaluese (Inrap) thonë se mbetjet u përkasin kohës së luftërave galike, rreth fundit të pushtimit romak të asaj që ishte atëherë Galia dhe fillimit të perandorisë së Romës së lashtë.

Ata po ekzaminojnë eshtrat për të provuar nëse kafshët u varrosën pasi u vranë në betejë ose si pjesë e një rituali kompleks. Një episod i sëmundjes së kafshëve është konsideruar i pamundur pasi vetëm kuajt meshkuj të rritur u varrosën, por mbetjet po ekzaminohen për parazitë.

Zbulimi erdhi pasi arkeologët gërmuan një vend të shekullit të 5-të deri në 6-të në Villedieu-sur-Indre në Francën qendrore, ku janë gjetur gjithashtu ndërtesa, kanale dhe një rrugë mesjetare. Gropa e parë e zbuluar përmbante 10 mbetje të kuajve. Kafshët, me përmasa vetëm 1.2 metra, që thuhet se ishin tipike për kuajt galikë në atë kohë, ishin varrosur thellë.

Zbulimi i varreve është i ngjashëm me zbulimet e mëparshme diku tjetër në Francë. Në Gondole në Puy-de-Dome në vitin 2002, arkeologët zbuluan varr drejtkëndor që përmbante trupat e tetë luftëtarëve të epokës së hekurit dhe kuajt e tyre në atë që dukej të ishte një varr keltik.

Isabelle Pichon, që udhëhoqi operacionit arkeologjik për Inrap, ka thënë se zbulimi i fundit ishte “i jashtëzakonshëm, por një mister”.