Kuriozitet

Botsvana ofron “t’ia dhurojë” 20 mijë elefantë Gjermanisë

Elefantet

Foto: Getty Images

Presidenti i Botsvanës ka kërcënuar se do të dërgojë 20 mijë elefantë në Gjermani, si reagim ndaj një mosmarrëveshje politike mes dy vendeve, raporton “BBC”. 

Më herët këtë vit, Ministria e Ambientit të Gjermanisë tha se duhet të ketë kufizime më strikte për gjueti të trofeve.

E presidenti i Botsvanës, Mokgweetsi Masisi, i ka thënë mediumeve gjermane se kjo vetëm do t’i varfërojë banorët e Botsvanës. Ai ka thënë se numri i elefantëve ka shpërthyer si rezultat dhe se gjuetia “ka ndihmuar të mbahet nën kontroll”. 

“Gjermanët duhet të jetojnë së bashku me kafshët, ashtu siç po mundohen të na thonë ne”, ka thënë Masisi për gazetën gjermane “Bild”. 

Botsvana është shtëpi e një të tretës së gjithë popullatës së elefantëve nëpër botë. Mbi 130 mijë elefantë jetojnë në Botsvana. 

Presidenti i Botsvanës ka thënë se tufa po shkakton dëme të pronave, po ha të korrat dhe po i shkelë banorët. 

Botsvana ka dhënë më parë 8000 elefantë te shtetet si Angola, dhe ka ofruar qindra tjerë për Mozambikun, pasi po tenton ta ulë popullatën e elefantëve. 

“Ne do të donim t’i ofronim një dhuratë të tillë Gjermanisë”, ka thënë Masisi, duke shtuar se nuk ishte shaka dhe se ai nuk do të merrte jo si përgjigje. 

Botsvana ka ndaluar gjuetinë e trofeve në vitin 2014, por hoqi kufizimet në vitin 2019 pasi u përball me presion nga komunitetet lokale.