Astronomët kanë zbuluar atë që mund të jetë objekti më i shndritshëm në univers. Kuazar që ka bërthamë të ndritshme të “galaktikave aktive” - që thyen rekord, ka një vrimë të zezë në zemër të tij, e cila është aq e madhe dhe është duke u rritur aq shpejt saqë thith më vete ekuivalentin e një dielli në ditë.
Ky është kuzari i quajtur J0529-4351, i cili është shumë më interesant sesa emri i tij.
Për astronomët është më i ndritshmi që kanë parë ndonjëherë dhe ata thonë se mund të jetë objekti më i ndritshëm në univers.
Zbulimi i ekipit australian është raportuar të hënën, më 19 shkurt, në revistën “Nature Astronomy”.
Ai është parë për herë të parë në vitet ’80, por shkencëtarët thonë se vetëm tash e njohin për atë që është.
Këta kuazarë janë bërthama të ndritshme në qendër të galaktikave të largëta, që mund të shihen me teleskop.
Ata marrin energji nga vrimat e zeza, të cilat gjatë procesit thithin shumë materie përreth tyre dhe krijojnë aq shumë energji, duke emituar kështu sasi të mëdha të dritës.
Studiuesit në Universitetin Nacional Australian në fillim kanë menduar që po shikonin kuazarin më të shndritshëm ndonjëherë në hapësirë. Observimet nga teleskopët në Australi dhe shkretëtirën Atakama në Kili e kanë konfirmuar këtë.
Këto observime dhe modele nga kompjuteri kanë përcaktuar se ky kuazar është duke gëlltitur ekuivalentin e 370 diejve në vit, përafërsisht një në ditë.
Nevojiten më shumë observime për ta kuptuar normën e rritjes.
Sa më i shndritshëm të bëhet ai, aq më shpejt rritet vrima e zezë.
Bashkautori Samuel Lai thotë se ky zbulim ka çuditur astronomët.
“Është koha që astronomët të bëhen si fëmijë përsëri dhe se mund të shikojmë objektin dhe të themi: ‘hej, ne kemi menduar se është vetëm një yll normal, por në fakt, është 1.5 miliardë vjet i vjetër dhe ishte aq e jashtëzakonshme kur identifikuam këtë objekt’”, shpjegon Lai.
Mariya Lyubenova, astronome në Observatorin Jugor Evropian nuk ishte pjesë e studimit.
Por ajo shpjegon se si shkencëtarët kanë mundur të konfirmonin se ajo çka po shihnin ishte kuazar e jo yll afër Tokës.
“Çfarë bënë shkencëtarët për të kuptuar sasinë e saktë të këtij ndriçimi ishte të shikonin spektrin e këtij kuazari duke përdorur instrumente shumë precize, përkatësisht teleskopin e madh të Observatorit Jugor Evropian. Duke përdorur një instrument specifik të quajtur x-shooter, që është sikur thikë zvicerane për astronomët, sepse është në gjendje të observojë në një gamë shumë të gjatë valore menjëherë, astronomët kanë mundur të studiojnë modele të ndryshme kimike brenda objektit të caktuar”, ka thënë Lyubenova.
Lai thotë se madhësia e kuazarit është e jashtëzakonshme në krahasim me kuazarët e tjerë që janë studiuar.